Republikanët e Nju Jorkut kanë zgjedhur zonjën Mazi Melesa Pilip, e lindur në Etiopi dhe që ka shërbyer në ushtrinë izraelite, për të kandiduar për vendin e lënë bosh pas përjashtimit të zotit George Santos nga Dhoma e Përfaqësuesve, njoftoi të enjten dega e Partisë Republikane në qarkut Queens.
Zonja Pilip, ligjvënëse e qarkut Queens, do të përballet me ish-ligjvënësin demokrat Tom Suozzi në zgjedhjet speciale të 13 shkurtit. Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme pasi republikanët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve.
Zonja Pilip u vendos në Izrael kur ishte fëmijë. Në vitin 2021 ajo u zgjodh në legjislaturën e qarkut Nassau, në lindje ë qytetit të Nju Jorkut dhe pjesë e distriktit që ajo do të përfaqësojë nëse zgjidhet në Kongres.
Ajo nuk ishte mes 19 individëve që kishin kandiduar më parë për vendin e zotit Santos. Mes pretendentëve të tjerë ishte një ish pjesëtar i policisë së Nju Jorkut, një avokat dhe një ish nënpresident banke. Drejtuesit republikanë kishin intervistuar 19 individë gjatë katër ditëve, tha një zyrtar i lartë i partisë.
Në fillim të muajit, Dhoma e Përfaqësuesve e përjashtoi zotin Santos pasi ai kishte sajuar të kaluarën e tij dhe ndaj tij ishin ngritur akuza për korrupsion.
Zoti Santos, i cili shërbeu 11 muaj në mandatin dy-vjeçar, është ligjvënësi i gjashtë i përjashtuar nga detyra në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ka thënë se është i pafajshëm për 23 akuzat e ngritura kundër tij nga prokurorët federalë.
Gjykimi ndaj tij është caktuar të fillojë në shtator të vitit 2024, por të dhënat në gjykatë tregojnë se ai është në diskutime me prokurorët federalë për pranimin e fajësisë.