Lidhje

Guvernatori i Kalifornisë thirrje për rezistencë ndaj administratës së re të Presidentit të zgjedhur Trump


Gavin Newsom, guvernator i Kalifornisë
Gavin Newsom, guvernator i Kalifornisë

Ndërsa Donald Trumpi përgatitet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar, disa guvernatorë të zgjedhur nga radhët e Partisë Demokrate po përgatiten të mbrojnë politikat progresive të shteteve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble njofton nga Kalifornia, ku guvernatori ka bërë thirrje për një seancë urgjente të asamblesë së këtij shteti.

Ndërsa Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump përgatitet të marrë pushtetin me një shumicë republikane në të dyja dhomat e Kongresit, disa guvernatorë demokratë duan të kufizojnë ndikimin e tij në shtetet e tyre.

Kathy Hochul
Kathy Hochul

"Nëse përpiqeni të dëmtoni njujorkezët, ose të hiqni të drejtat e tyre, unë do t'ju luftoj në çdo hap", tha guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hotchul.

Me shpejtësi reagoi edhe guvernatori i shtetit Illinois, J.B. Pritzker.

J.B. Pritzker
J.B. Pritzker

Nëse merresh me banorët e shtetit tim, duhet të kalosh nga unë njëherë”, tha guvernatori Pritzker.

Bëjmë thirrje për një seancë të posaçme urgjente të legjislaturës të shtetit tonë, të fokusuar në mënyrë të vendosur tek vlerat që ne i mbajmë të shtrenjta, që unë mendoj se janë vlera universale, që janë vlera amerikane”, tha guvernatori Newsom.

Guvernatori i Kalifornisë bëri kështu thirrje për një seancë të posaçme të asamblesë shtetërore për t'u përgatitur për atë që zyra e tij thotë se është: "një administratë federale e ardhshme që e ka kërcënuar shtetin në disa fronte".

Donald Trump
Donald Trump

Pas fitores së tij, Presidenti i zgjedhur Trump postoi në rrjetin "Truth Social" se guvernatori Newsom "po përpiqet të VRASË Kaliforninë e bukur të vendit tonë".

"Shteti i Kalifornisë është një rrëmujë", tha zoti Trump në shtator.

Presidenti i zgjedhur Trump thotë shpesh se politikat progresive në Kaliforni kontribuojnë për krimin, të pastrehët dhe emigracionin e paligjshëm.

Gjatë presidencës së parë Trump, Kalifornia ngriti mbi 100 padi ndaj qeverisë federale, duke mbrojtur me sukses politikat shtetërore për emigracionin, për standardet e gazeve që çlirojnë automjetet, si dhe për qasjen tek kujdesi shëndetësor.

Duke folur javën e kaluar pranë urës së mirënjohur “Golden Gate” të San Franciskos, Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta tha se ekipi i tij planifikon të fillojë ngritjen e padive, sapo Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën.

Rob Bonta
Rob Bonta

"Zoti Trump e tejkaloi në mënyrë të përsëritur autoritetin e tij në periudhën 2016 - 2020. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se ai nuk do ta bëjë këtë sërish. Ne e balancuam, e ndalëm dhe e zbrapsëm sa herë që përpiqej të tejkalonte kompetencat", tha prokurori i Kalifornisë.

Në një ndalesë gjatë fushatës elektorale në Los Anxhelos në shtator, zoti Trump sulmoi udhëheqësit e Kalifornisë dhe menaxhimin e burimeve shtetërore nga ana e tyre.

"Unë do t'ju jap siguri. Unë do t'ju jap një kufi të shkëlqyer dhe do t'ju jap më shumë ujë se pothuajse çdokush tjetër", tha në shtator zoti Trump.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump gjatë një takimi në Kaliforni (29 shtator 2023)
Presidenti i zgjedhur Donald Trump gjatë një takimi në Kaliforni (29 shtator 2023)

Kalifornia shpenzoi mbi 41 milionë dollarë për të mbrojtur ligjet dhe politikat gjatë presidencës së parë Trump, sipas organizatës jofitimprurëse “CalMatters”.

Kur ligjvënësit e Kalifornisë të mblidhen në dhjetor, udhëheqësit demokratë thonë se do të votojnë për fondet e emergjencës për ta bllokuar administratën e ardhshme Trump që të deportojë emigrantët, të kufizojë të drejtat për riprodhimin dhe ato civile, si dhe të heqë masat për mjedisin në shtetin më të populluar të Amerikës.

XS
SM
MD
LG