UASHINGTON - Senatori republikan Markwayne Mullin i bëri thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të dielën që të shpërndajë raportin e papublikuar të etikës mbi dyshimet për abuzim seksual në lidhje me një vajzë 17-vjeçare nga Matt Gaetz, i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm.
Zoti Gaetz, 42 vjeç, dha dorëheqjen të mërkurën nga detyra e ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane, disa orë pasi Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi emërimin e tij dhe dy ditë përpara se Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve pritej të publikonte raportin e tij, që shqyrtonte edhe akuzat për përdorim të paligjshëm të drogës. Zoti Gaetz mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.
Senatori Mullin tha për emisionin "Meet the Press" të kanalit televiziv NBC, se Senati, i cili ka autoritetin për të konfirmuar ose rrëzuar emërimet e Presidentit të zgjedhur Trump të zyrtarëve të lartë, duhet të njihet me raportin.
"Senati duhet të ketë qasje tek kjo", tha senatori Mullin. "A duhet të publikohet apo jo? Kjo mendoj se do të jetë pjesë e negociatave".
Zoti Gaetz është një nga disa emrat e propozuar javën e kaluar nga Presidenti i zgjedhur Trump për anëtarë të kabinetit, të cilëve u mungojnë biografitë që zakonisht kanë kandidatët për postet e nivelit të lartë të administratës. Për t’u konfirmuar në detyrën e prokurorit të përgjithshëm, atij do t’i duhet të marrë miratimin e Senatit - ku republikanët do të kenë një shumicë prej të paktën 52 nga 100 vende. Një numër i vogël senatorësh kanë shprehur tashmë skepticizëm për këtë përzgjedhje.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson tha të premten se Komisioni i Etikës nuk duhet ta publikojë raportin e tij. Ai e përsëriti qëndrimin e tij të dielën.
“Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk ka autoritetin të ndalojë publikimin e një raporti nga Komisioni i Etikës, por unë thjesht thashë atë që besoj se është një pikë e qartë, se ne nuk duam të shkojmë në atë drejtim”, tha kryetari Johnson për kanalin televiziv CNN.
Senatori Mullin e ka cilësuar më parë zotin Gaetz si joparimor dhe ai tha të dielën se "e shkuara e Matt Gaetzit ka rëndësi".
Por, ai tha se nuk kishte marrë një vendim nëse do të votonte pro ose kundër emërimit të zotit Gaetz.
"Do t'i jap atij një mundësi të drejtë, ashtu si çdo individi", tha senatori Mullin.
Departamenti i Drejtësisë bëri hetime ndaj zotit Gaetz për gati tre vite mbi akuzat për abuzim seksual në lidhje me një adoleshente. Zyra e zotit Gaetz tha në vitin 2023 se atij i ishte thënë nga prokurorët se nuk do të përballej me akuza penale.
Avokati i vajzës bëri thirrje të enjten që raporti të bëhet publik.
Senatori Mullin gjithashtu u shfaq i hapur ndaj idesë për t’ia lejuar Presidentit të zgjedhur Trump ta anashkalojë plotësisht Senatin, si një "masë e fundit" nëse ligjvënësit nuk arrinin dakordësi. Mekanizmi, i njohur si “emërimet gjatë pushimeve”, i lejon Presidentit të bëjë emërime gjatë periudhës që Senati nuk është në sesion pune, duke shmangur autoritetin e dhomës së lartë të legjislativit për të bllokuar emërimin e zyrtarëve politikë. Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë thirrje publikisht që ligjvënësit republikanë t'ia lejojnë përdorimin e këtij mekanizmi, që do t'i jepte atij një liri të jashtëzakonshme për të emëruar këdo që dëshiron.
Senatorët demokratë kanë shprehur kundërshtim të gjerë ndaj përzgjedhjes së zotit Gaetz.
"Senati ka një rol kushtetues", tha senatori demokrat Chris Coons në kanalin televiziv Fox News. "Është roli ynë për të dhënë këshilla dhe pëlqimin, për t'u siguruar që një president i zgjedhur të marrë përgjithësisht zyrtarët që dëshiron ... por nuk vendos njerëz që janë të pakualifikuar, ose që nuk kanë karakterin dhe aftësitë e nevojshme, për të drejtuar një agjenci tepër të rëndësishme si Departamenti i Drejtësisë”.