RRETH NESH
RRETH NESH
Zëri i Amerikës është organizata më e madhe mediatike ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara, e pranishme në më shumë se 45 gjuhë për ata që nuk kanë qasje të plotë tek media e lirë. Zëri i Amerikës u krijua në vitin 1942 me përkushtimin për të mbuluar ngjarjet në mënyrë gjithëpërfshirëse e të pavarur dhe për t’u treguar njerëzve të vërtetën. Zëri i Amerikës financohet plotësisht nga taksapaguesit amerikanë në kuadër të Agjencisë Amerikane për Median Globale.
Misioni dhe pavarësia e Zërit të Amerikës garantohen me ligje që mbrojnë gazetarët e këtij institucioni nga ndikimet, presioni apo përndjekja e zyrtarëve qeveritarë ose politikanëve.
Në 1976, Presidenti Gerald R. Ford nënshkroi Kartën e Zërit të Amerikës, ku thuhet:
1. Zëri i Amerikës shërben si një burim vazhdimisht i besueshëm dhe autoritar lajmesh. Lajmet e Zërit të Amerikës janë të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse.
2. Zëri i Amerikës përfaqëson të gjithë Amerikën, jo një segment të caktuar të shoqërisë amerikane, dhe për rrjedhojë ofron një pasqyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit dhe institucioneve amerikane me peshë.
3. Zëri i Amerikës pasqyron politikat e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të qartë dhe efektive; ai pasqyrojë gjithashtu diskutime dhe opinione të përgjegjshme mbi këto politika.
Në vitin 1994, Kongresi amerikan miratoi Ligjin Për Transmetimet Ndërkombëtare Amerikane. Ky ligj kërkon që puna e gazetarëve të Zërit të Amerikës të jetë autoritative, e saktë, objektive, gjithëpërfshirëse, e balancuar dhe një pasqyrim i larmisë kulturore dhe sociale të Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 2016, Kongresi riafirmoi në Ligjin Autorizues për Mbrojtjen Kombëtare se mbledhja e fakteve dhe raportimi i lajmeve duhet të vazhdojnë të jenë funksione të pavarura dhe objektive.
Gazetarët e Zërit të Amerikës punojnë çdo ditë me këmbëngulje për të mishëruar parimet e shtypit të lirë për të gjithë botën.
Zëri i Amerikës
Një shtyp i lirë është jetik