Lidhje

Republikanët e Nju Jorkut i kërkojnë ligjvënësit të partisë së tyre të japë dorëheqjen


Në Nju Jork udhëheqësit lokalë republikanë kërkuan të mërkurën dorëheqjen e menjëhershme të ligjvënësit të tyre, të zgjedhur rishtazi (në nëntor) George Santos.

Ky i fundit po përballet me disa hetime nga prokurorët, lidhur me të ardhurat e tij personale, financimin e fushatës, si dhe se ka gënjyer në informacionet e paraqitura në CV-në e tij, e mbi trashëgiminë familjare.

“Gënjeshtrat e tij nuk janë të vogla. Ai turpëroi Dhomën e Përfaqësuesve", tha sot gjatë një konference për shtyp Joseph Cairo Jr., kryetar i Komitetit Republikan për qarkut Nassau. "Ai nuk është i mirëpritur në selinë republikane këtu".

Zoti Santos, i cili po përballet këto ditë me pyetje të shumta nga gazetarët në Kapitol, refuzoi kategorikisht të mërkurën thirrjet për dorëheqje, duke thënë se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Thirrjet për dorëheqje shihen si një kritikë e fortë ndaj ligjvënësit, zgjedhja e të cilit disa muaj më parë, u dha republikanëve një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, në një zonë që zakonisht voton për demokratët. Vetë republikanët e paraqitën atë fillimisht si një nga fitoret më të rëndësishme të tyre në zgjedhjet e nëntorit. Denoncimi që vjen nga republikanët e zonës, rrit gjithashtu trysninë ndaj republikanëve në Kongres, lidhur me qasjen ndaj zotit Santos.

Zoti Cairo dhe republikanë të tjerë thanë se zoti Santos ka mashtruar votuesit dhe republikanët e kontesë Nassau dhe se ata ishin kryesisht të indinjuar me gënjeshtrën e tij se kishte prejardhje hebreje.

Ligjvënësi Anthony D'Esposito, një tjetër republikan i sapozgjedhur për të përfaqësuar Long Island, iu bashkua thirrjes së zotit Cajro për dorëheqjen e kolegut të tij.

"George Santos nuk ka aftësinë për të shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve dhe duhet të japë dorëheqjen", tha ai.

Struktuarat lokale të partisë nuk ka asnjë mekanizëm në dorë për të hequr zotin Santos nga detyra. George Santos u betua si ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar.

Thirrjet për dorëheqje të tij vijnë një ditë pasi dy ligjvënës demokratë të Nju Jorkut i kërkuan komisionit të Etikës në Dhomën e Përfaqësuesve të nisë hetime ndaj zotit Santos. Në një letër drejtuar komisionit, ligjvënësit Ritchie Torres dhe Dan Goldman shkruanin se zoti Santos ka dështuar gjithashtu të paraqesë të dhënat financiare të sakta, të plota dhe në kohë.

XS
SM
MD
LG