Ligjvënësi amerikan George Santos vazhdon të shmangë pyetjet e gazetarëve mbi të shkuarën e tij. Ai akuzohet ndër të tjera se ka gënjyer lidhur me formimin akademik dhe profesional, si dhe origjinën e tij, gjatë fushatës së vitit të kaluar për një vend të Kongres, gjë për të cilën po hetohet dhe nga zyra e prokurorit të Nju Jorkut. Mbi 10 zyrtarë republikanë, shumë prej të cilëve nga qarku i zotit Santos në shtetin e Nju Jorkut, kanë kërkuar dorëheqjen e ligjvënësit të sapo zgjedhur, e ardhmja e të cilit në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet e paqartë.
Gazetarët i kishin zënë pritë ligjvënësit republikan George Santos në një prej aeroporteve të Nju Jorkut, por ai sërish i shmangu përgjigjet rreth akuzave se ka gënjyer mbi formimin akademik dhe profesional, si dhe origjinën e tij, gjatë fushatës për zgjedhjet për Kongresin, që u mbajtën më 8 nëntor. Ai refuzoi t'u përgjigjet gjithashtu dhe pyetjeve lidhur me financimin e fushatës së tij elektorale, si dhe lidhjet me të paktën një oligark rus.
Sipas njoftimeve më të fundit zoti Santos ka marrë pjesë në një konkurs për “drag queen” në Brazil 15 vite më parë. Në konkurse të tilla, një person zakonisht i seksit mashkull vishet si femër, me kostume e grim të ekzagjeruar. Kjo gjë ka shtuar kritikat ndaj tij nisur nga qëndrimet e tij konservatore, ndonëse vet është pjesë e komunitetit LGBTI.
“Isha i ri dhe u argëtova në një festival. Më padisni po të doni vetëm për faktin se zgjodha të jetoj”, tha ai ndërsa u pyet mbi këtë çështje.
Megjithë thirrjet për dorëheqjen e tij, përfshirë edhe nga të paktën gjashtë ligjvënës republikanë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, ka thënë se do t'ia lërë fatin e zotit Santos komisionit të Etikës.
Ligjvënësi ka pranuar se ka sajuar pjesën më të madhe të biografisë së tij. Zoti Santos fitoi garën për një vend në Kongres në nëntor me një diferencë prej 7.5 për qindësh ndaj kandidatit demokrat Robert Zimmerman. Por fitorja e tij u venit shpejt nga njoftimet në media që tregonin se personi që ai prezantoi para votuesve ishte kryesisht i sajuar.
George Santos ka thënë se është diplomuar në Universitetin e Nju Jorkut dhe Kolegjin Baruch, ndonëse në këto institucione arsimore nuk ekziston asnjë e dhëna për të. Ai ka pretenduar gjithashtu se ka punuar në kompanitë financiare, “Goldman Sachs” dhe “Citigroup”, gjë që ka rezultuar të jetë e pavërtetë.
Po kështu zoti Santos rezulton të ketë gënjyer edhe për origjinën e tij duke thënë se është hebre dhe se gjyshërit e tij arritën t’u shpëtojnë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.