Kurti: Nëse projekt statuti është çështje e brendshme e Kosovës, nuk do të duhej të diskutohej në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi të mërkurën qëndrimin e ndërmjetësuesit të bisedimeve me Serbinë, Miroslav Lajçak, i cili e quajti para pak ditësh “çështje të brendshme të Kosovës" projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ka edhe një qëndrim tjetër të ri që mbase duhet adresuar, që draft statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Po atëherë përse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel? Nëse na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës tash e dy vjet ose tash e dhjetë vjet, përse e ngrisni këtë punë në Bruksel? S’po e flasim fare në Bruksel, një temë më pak dhe ecim përpara”, tha ai.

Propozimi për projekt statutin e Asociacionit u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Kryeministri Kurti ritheksoi sot se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, ndërsa akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi nënshkrimin. Presidenti serb ndërkaq ka deklaruar se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme.

Lexoni edhe këtë Lajçak: Shtensionimi dhe normalizimi, urgjente për Kosovën dhe Serbinë

I dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak në një intervistë me Gazetën Express, para pak ditësh tha se nënshkrimi nuk ishte i nevojshëm meqë projekt statuti është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Kryeministri Kurti tha se në një rast të tillë, vitin e ardhshëm ai mund ta hartojë një projekt statut bashkëkohor evropian.

Themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij vit, e cila nuk arriti të ulte tensionet mes palëve.

Në një konferencë shtypi, kryeministri Kurti akuzoi Serbinë se po tërhiqet nga zotimet që mori përsipër me atë marrëveshje duke u bërë thirrje ndërmjetsuesve të trajtojnë këtë çështje.

“Është edhe problemi i letrës së kryeministres (serbe Ana) Bërnabiç, me atë duhet të merren, çka të bëjnë më atë letër? Atë letër e kanë në dosje tash, me atë letër është tërhequr Serbia nga marrëveshja bazike, nëse e lexoni atë letër Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja bazike, nuk do të duhej të merrem unë, le të merret ndërmjetësi me njërën palë që u tërhoq nga marrëveshja bazike”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se kjo qasje e Serbisë është pengesë kapitale për normalizim dhe për bisedime të mëtutjeshme.

Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia janë angazhuar në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian me synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ndonëse 2023-ta shënoi arritjen e marrëveshjes më të rëndësishme në këtë drejtim, viti u përshkua me tensione të njëpasnjëshme posaçërisht në veri të Kosovës, të cilat kulmuan me sulmin ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.

Tensionet u pasuan nga përpjekjet e diplomacisë perëndimore për t’i nxitur palët të zbatojnë këtë marrëveshje, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë njohjen de facto të Kosovës.

Gjatë këtij muaji udhëheqësit e Serbisë kanë shprehur qëndrimin se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.

Lexoni edhe këtë BE: Marrëveshja e Ohrit ligjërisht e detyrueshme për Serbinë dhe Kosovën

Bashkimi Evropian thotë ndërkaq se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i ka kërkuar Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.