Bashkimi Evropian tha të premten se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është e detyrueshme për të dyja palët.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano u shpreh përmes një deklarate se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.
Komentet e zëdhënësit të BE-së pasojnë reagimin e qeverisë së Serbisë pas daljes së deklaratës së përbashkët të takimit të nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Zyra e Kryeministres së Serbisë Ana Bënabiç, shprehu rezerva për deklaratën e përbashkët duke e cilësuar atë një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme.
"Marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministres së Serbisë, duke theksuar më tej se “pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të Kosovës”.
Në deklaratën përfundimtare të takimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve, si dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Po ashtu marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.
Të martën Këshilli i ministrave të Bashkimi Evropian miratoi përfundimet në të cilat u kërkohet Kosovës dhe Serbisë zbatimi i marrëveshjes dhe përfshirja e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.