Lidhje

Lajçak: Shtensionimi dhe normalizimi, urgjente për Kosovën dhe Serbinë


I dërguari i posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ai amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e presidentit francez, Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, zhvilluan takime të gjata në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Kjo ishte përpjekja e parë që nga 24 shtatori kur një grup serbësh të armatosur kreu një sulm në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duke vrarë në oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me policinë, duke nxitur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë për qëndrueshmërinë në rajon.

Lajçak: Shtensionimi dhe normalizimi, urgjente për Kosovën dhe Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Diplomatët dhe mikpritësit e tyre në Prishtinë dhe në Beograd thanë se ata paraqitën një plan për rrugën përpara, por pa dhënë hollësi.

Në fund të takimit në Prishtinë, u vu re një dallim mes diplomatëve perëndimore të cilët vunë theksin te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili vuri theksin te siguria e vendit.

I dërguari evropian Lajçak, tha se ngjarjet e 24 shtatorit e kanë bërë të qartë se shtensionimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, janë tani më urgjente se kurrë.

“Çdo kusht apo vonesë është i papranueshëm dhe ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre nga dialogu. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje në rrugën e normalizimit më herët këtë vit”, tha zoti Lajçak në Prishtinë duke nënvizuar se kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian.

“Dhe ne këtu e theksuam nevojën për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë. Pa këtë nuk do të ketë të përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vlerësojmë gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të vazhduar së shpejti diskutimet tona”, tha ai.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti të ketë thënë se “përparësi kryesore dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit”. Sipas qeverisë, kryeministri Kurti theksoi “që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e cilësoi takim të vështirë bisedën me pesëshen perëndimore. “Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, shkroi ai.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha në Beograd se të dyja takimet ishin të rëndësishme dhe përgjatë tyre është shprehur shqetësimi mbi rrugën aktuale negative në procesin e normalizimit që është e lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Le të jemi shumë të qartë që udhëheqësit kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe presim përgjegjësi dhe komunikim të matur publik. Edhe Serbia edhe Kosova duhet të bëjnë pjesën e tyre për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha zoti Lajçak pas takimit me presidentin serb.

I dërguari evropian tha se ngjarja e 24 shtatorit ishte e pashembullt, shumë serioze dhe Bashkimi Evropian do të këmbëngulë në hetimin e plotë dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë me 24 shtator ndërsa Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit, duke kërkuar sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet përshkallëzimi dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha i dërguari evropian Miroslav Lajçak, i cili u takua të shtunën për herë të parë me kryeministrin Kurti, që nga raundi i fundit i bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel që u mbajt me 14 shtator pas të cilit kryeministri Kurti e kritikoi atë për qasje “të njëanshme”.

Fuqitë perëndimore kërkojnë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë një marrëveshje për të cilën palët u pajtuan në muajin shkurt dhe mars në Bruksel dhe në Ohër për rrugën drejt normalizimit.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në takimin e lartë të mbajtur të premten në Uashington përmes një komunikate theksuan siç thanë nevojën që Kosova dhe Serbia të shtensionojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG