Lidhje

Osmani: Nuk është në interes të Kosovës konflikti me aleatët për çështjen e urës në Mitrovicë


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet në bashkërendim dhe të mos nxisë konflikt me aleatët perëndimorë, në një qëndrim që bie ndesh me këmbënguljen e qeverisë për hapjen e saj, mes thirrjeve të Uashingtonit dhe Brukselit për shmangien e veprimeve të njëanshme.

Osmani: Nuk është në interes të Kosovës konflikti me aleatët për çështjen e urës në Mitrovicë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

“Por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe të hartojnë së bashku planin e zbatimit i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike sepse bashkëpunojnë institucionet tona dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por i përhershëm”, tha presidentja Osmani gjatë një vizite në komunën e Vitisë, rreth 70 kilometra në Jug të Prishtinës.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do t’i shërbente lëvizjes së lirë dhe se nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës. Por, vendet perëndimore kërkojnë shmangien e veprimeve që mund të nxisin tensione. Grupe qytetarësh serbë javën e kaluar protestuan kundër hapjes së urës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “mos ta ndërmarrë këtë veprim të pa bashkërenduar dhe çështja të zgjidhet me diskutime në Bruksel

“Hapja e urës për trafikun e makinave tani, rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Edhe presidentja Osmani shfaqi shqetësim për rrezikun e paralajmëruar.

“Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet (ura) të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë vazhdojnë të ruajnë praninë e tyre në zonën përreth urës. Dy mjete të blinduara vazhdojnë të qëndrojnë mbi urë duke bllokuar kalimin e automjeteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që çështja të zgjidhet në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Ndonëse kërkon bashkërendim me aleatët, presidentja Osmani tha se çështja e urës nuk duhet diskutohet në Bruksel, duke rënë kështu ndesh me kërkesat e Uashingtonit dhe Brukselit.

“E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë ta pyesim Serbinë", tha ajo.

Qeveria në Prishtinë thotë se kjo çështje tashmë është trajtuar në marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe ky qëndrim u është bërë i qartë zyrtarëve evropianë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kryenegociator në bisedimet me Serbinë, tha se ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak kishte thënë në muajin qershor që nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që të zhvilloheshin diskutime të brendshme me banorët serbë në veri, për të trajtuar ndikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen.

Por, zoti Lajçak tha të mërkurën se Brukseli ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialog dhe se pretendimet se Bashkimi Evropian është kundër hapjes së urës, ose se ka ndryshuar qëndrimin e tij nuk janë të vërteta. Ai shtoi se mënyra se si “do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutohet në takimin e ardhshëm në Bruksel”.

Në vitin 2014 Kosova dhe Serbia ranë dakord për një maarëveshje për lëvizje të lirë dhe në vitin 2016 ura u hap për këmbësorët. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për riparimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave.

XS
SM
MD
LG