Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të martën se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione ndërsa ritheksoi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Këto deklarata u bënë nëpërmjet një komunikate për shtyp të misionit të KFOR-it, pak kohë pas takimit ndërmjet komandantit të KFOR-it Özkan Ulutaş dhe kryeministrit Albin Kurti, ku është diskutuar edhe për çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në komunikatën e forcave paqeruajtëse.
KFOR-i përsëriti qëndrimin se mban një prani të trupave të tij në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth.
“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve dhe për qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në komunikatën e misionit të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp tha se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër është i drejtë, i nevojshëm dhe i dobishëm.
Komunikata e qeverisë thekson se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar komandantin e KFOR-it Özkan Ulutaş “mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.
Komunikata e qeverisë citon kryeministrin Albin Kurti të ketë thënë se është i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.
Autoritetet në Kosovë thanë të martën se kanë marrë raportin teknik mbi qëndrueshmërinë e urës kryesore mbi Ibër, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave.
Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi tha se sipas raportit ura mbi lumin Ibër është e qëndrueshme dhe funksionale.
“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, shkroi ai në rrjetet sociale duke nënvizuar se raporti është paraprak.
Synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb ndërsa nxitën kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian tha të martën se planifikon që statusin e urës mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, të vendosë në takimin e ardhshëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Çështja e urës, siç e dini, kjo është pjesë e çështjes së dialogut, pavarësisht faktit që qeveria e Kosovës vepron në të kundërtën”, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian Nabila Massrali, gjatë një konference për shtyp për gazetarët në Bruksel.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar ndërkaq se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që janë në fuqi që nga qershori i vitit të kaluar, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara, në veriun e banuar me shumicë serbe.