Lidhje

DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë


Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani, rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.

Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë një mbledhjeje të qeverisë se hapja e urës nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë, hapja e urës nuk është kundër askujt”, tha ai.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti.

Diplomacia perëndimore ka theksuar vazhdimisht që kur qeveria e Kosovës shprehu synimin për hapjen e urës se nuk është momenti I duhur për një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti ka këmbëngulur se hapja e urës do t’i shërbente lëvizjes së lirë.

XS
SM
MD
LG