Lidhje

Protestë e serbëve kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë


Qindra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, mes paralajmërimeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e saj dhe kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.

Protestë e serbëve kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Oratorët thanë se nuk ndjehen të sigurt nëse hapet ura, ndërsa akuzuan qeverinë në Prishtinë se po synin “spastrimin etnik të serbëve”.

Ish gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiç, tha se pretendimet e autoriteteve në Prishtinë se hapja e urës do të bëhej për hir të bashkëjetesës, nuk janë të qëndrueshme.

“Ne këtu nuk ndjehemi të sigurt”, tha ai, duke theksuar se ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, vendeve të Quinti-t, Bashkimit Evropian, mos pranoni asnjë ndryshim në terren, mos pranoni veprimet e njëanshme të Albin Kurtit për ndonjë incident që mund të çojë në dhunë. Siguria dhe qëndrimi ynë këtu është në rrezik. Nëse në vitin 1999 keni luftuar për shumë etnicitetin e Kosovës, tani duhet ta ruani atë”, tha ai.

Drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë Ivan Milojeviç, bëri thirrje që në mënyrë demokratike të parandalohet hapja e urës mbi lumin Ibër.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë ditën kur (Albin) Kurti do të tentojë ta hapë këtë urë apo nëse KFOR-i do ta mbajë premtimin. Por, unë e di se çfarë do të bëj dhe kam shumë besim edhe tek ju. Le të qëndrojmë kështu në mënyrë paqësore dhe demokratike, nëse duhet do të shtrihemi në asfalt, le të na arrestojnë. Me hapjen e urës na pret vetëm përndjekja e mëtejshme”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albi Kurti përmes rrjeteve sociale tha se protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë të veriut të marrin pjesë të enjten në një diskutim në komunën e Mitrovicës së Veriut ku do të mund të njoftohen, siv tha, mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucionalë.

Javën e kaluar, qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë planin për hapjen e urës për lëvizjen e makinave. Aktualisht ura shfrytëzohet vetëm nga këmbësorët. Qeveria tha se “liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.

Por, diplomatët nuk e mbështesin synimin e qeverisë ndërsa të martën forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja paralajmëruan se “do të trajtojnë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale”.

Diplomatët perëndimorë dhe forcat e NATO-s, thanë se çdo vendim për hapjen e urës, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave.

XS
SM
MD
LG