Lidhje

Obama bisedon me udhëheqësit evropianë


U.S. President Barack Obama
U.S. President Barack Obama

Presidenti Barack Obama tha të premten se kishte biseduar me Kryeministrin britanik David Cameron dhe është i bindur se Britania është e angazhuar për një tranzicion të rregullt në procesin e largimit nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se kishte biseduar gjithashtu me kancelaren gjermane Angela Merkel për të diskutuar mbi rezultatin e papritur të votimit britanik në favor të largimit nga BE.

Presidenti Obama i bëri komentet gjatë një fjalimi në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni. Ai tha se beson që vendimi i papritur i britanikëve për t’u larguar flet për ndryshimet dhe sfidat që ka sjellë globalizimi.

Një gjë që nuk do të ndryshojë, tha Presidenti Obama, është marrëdhënia e veçantë midis SH.B.A. dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Obama: E respektojmë vendimin britanik

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara e respektojnë vendimin e popullit britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Në reagimin e tij të parë publik për referendumin të premten në mëngjes, Presidenti Obama tha se marrëdhëniet e veçanta midis Uashingtonit dhe Londrës do të vazhdojnë.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian do të mbeten partnerë të domosdoshëm të Shteteve të Bashkuara, edhe pasi ata të fillojnë negocimin e marrëdhënieve të reja mes tyre për të siguruar vazhdimin e stabilitetit, sigurisë dhe begatisë në Evropë, Britaninë e Madhe dhe në botë.

Presidenti Obama kishte kërkuar me forcë që Britania të mbetej në BE. Vendimi i britanikëve ishte një goditje ndaj përpjekjeve të tij për t'iu kundërvënë pikëpamjeve izolacioniste që po përhapen në shumë pjesë të botës.

SHBA, Evropa dhe NATO-ja

“Prania e Mbretërisë së Bashkuar në NATO mbetet një gur themeli jetik për politikën e jashtëme, të sigurisë, dhe atë ekonomike të SHBA,” tha presidenti Obama. “Po kështu, është marrëdhënia jonë me Bashkimin Evropian, i cili ka bërë aq shumë për të promovuar stabilitetin, për të nxitur rritjen ekonomike dhe përhapjen e vlerave e idealeve demokratike në të gjithë kontinentin e më gjerë,” tha Presidenti.

Nënpresidenti Joe Biden që ndodhej për vizitë në Dublin, shtoi se SHBA do të vazhdojnë të punojnë me partnerët “për të çarë një rrugë të re përpara.”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha se votimi britanik ishte “një arsye më shumë që Amerika të udhëheqë”. Amerika ka nevojë të udhëheqë; bota dëshiron që Amerika të udhëheqë, u tha zoti Ryan gazetarëve në Kapitol.

XS
SM
MD
LG