Tregjet globale të aksioneve pësuan sot rënie dramatike si pasojë e vendimit britanik për daljen nga Bashkimi Evropian. Rënie patën edhe çmimet e naftës ndërsa vlera e monedhës britanike ra në nivelin më të ulët në tre dekada.
Treguesi kryesor i tregut të aksioneve të Nju Jorkut Dow Jones ra mbi 2.5 përqind në hapje të bursës, ashtu si edhe tregjet europiane ku rënia ishte e ndjeshme.
Në Azi, sipas agjencisë së lajmeve financiare Bloomberg, vetëm në këtë rajon, tregjet humbën sot 700 miliardë dollarë.
Agjencitë e mëdha të vlerësimit të kreditit thanë se Brexit do të dëmtojë ekonominë e Britanisë. Agjencia Moody tha se rezultati i votimit në Britani sinjalizon një periudhë të gjatë pasigurie që do të "ndikojë në performancën ekonomike dhe financiare të Mbretërisë së Bashkuar."
Drejtorja Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde i bëri thirrje Britanisë dhe Evropës të punojnë së bashku për një "tranzicion të qetë" në një marrëdhënie të re ekonomike.
Deri tani, viktima kryesore e vendimit të Britanisë është monedha e saj, paundi. Rënia e vlerës së paundit do të shtrenjtojë importimin e mallrave në Britani, gjë që mund të rrisë inflacionin. Ndërkaq rënia e paundit nënkupton që mallrat britanike do ta kenë më të lehtë të shiten në tregjet globale dhe kjo mund t’i ndihmojë eksportet e Britanisë.