Lidhje

Britania voton për largimin nga BE - Cameron jep dorëheqjen


Në një vendim historik, Britania votoi largimin nga Bashkimi Evropian, në referendumin e së enjtes që u parapri nga një fushatë që ne qendër të debateve kishte emigracionin, sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të Britanisë.

Rezultatet zyrtare treguan se 51.89 për qind e votuesve favorizuan largimin nga Bashkimi Evropian. Lajmi shkaktoi reagime negative në tregjet aziatike, ndërsa poundi britanik ra në nivelin më të ultë në 30 vitet e fundit.

Pjesëmarrja në referendum ishte e lartë më mbi 70 për qind, përkundër motit të lig, duke pasqyruar kësisoj emocionet e forta të kombit që është përballur me dyfishimin e emigracionit në 16 vitet e fundit.

David Cameron
David Cameron

Kryeministri David Cameron, që udhëhoqi fushatën për mbetjen në BE, tha se Britania ka nevojë për udhëheqje të re dhe ai do të largohet brenda tre muajsh. Ish kryetari i Londrës, Boris Johnson, besohet se mund të jetë pasuesi i tij.

Udhëheqësi i fushatës për largimin nga BE-ja, Nigel Farage, tha se 23 qershori do të hyjë në historinë e Britanisë si "Dita e Pavarësisë". Ai i bëri thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen.

Votimet hapën një periudhë gati dyvjeçare të ndarjes nga BE-ja, 43 vjet pasi që Britania e Madhe u bashkua me vendet që përbënin bashkimin më të madh të shteteve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri David Cameron pritet që formalisht t'u raportojë kolegëve të tij evropian javën e ardhshme dhe të përgatisë negociatat e largimit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se rezultati i referendumit është një "moment politik shumë serioz madje dramatik". Por, ai tha se ka një përkushtim për të ruajtur unitetin e 27 vendeve të BE-së.

"Për neve, bashkimi është korniza e ardhmërisë së përbashkët", tha presidenti Tusk.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti Barak Obama është informuar mbi rezultatet e referendumit.

“Presim që Presidenti të ketë rast për të folur me kryeministrin Cameron gjatë ditës. Ne do të publikojmë komente të mëtejshëm sa më shpejt që të jetë e nevojshme," thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG