Burns: Shtetet e Bashkuara kanë një politikë aktive për rajonin e Ballkanit

Shtetet e Bashkuara shprehën të hënën angazhimin e tyre ndaj konsolidimit të demokracisë dhe paqes në vendet e Ballkanit perëndimor dhe vlerësuan bashkëpunimin me vendet e Kartës së Adriatikut. Në takimin ministror të zhvilluar në Departamentin e Shtetit, ku morën pjesë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Nicholas Burns, theksoi se Uashingtoni do t’i ndihmojë aktivisht këto vende për integrimin në strukturat euro-atlantike.

Nënsekretari Burns foli për rëndësinë që kanë për Shtetet e Bashkuara marrëdhëniet me vendet e Kartës së Adriatikut dhe rajonit në përgjithësi:

“Këto vende janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara kanë një politikë aktive për rajonin e Ballkanit që ka si qëllim t’i ndihmojë këto vende, në mënyrë që e ardhmja e rajonit të jetë paqja, stabiliteti dhe demokracia”

Duke ritheksuar angazhimin për integriminin euro-atlantik të vendeve të Kartës së Adriatikut, zoti Burns vlerësoi kontributin e tyre në Kosovë, Afganistan dhe Irak:

“Dua të falenderoj ministrat për kontributin e madh të tyre për aleancën, për suksesin tonë në Kosovë dhe në Afganistan dhe në përpjekjet aktuale të NATO-s për sukses në Irak”.

Pas konferencës zoti Burns tha se sfidat kryesore për Shqiprërinë dhe për integrim në NATO, janë ato me të cilat janë përballur të gjitha vendet që janë anëtarësuar në aleancë 10 vitet e fundit:

“Suksesi i lirisë politike dhe demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme, lufta kundër korrupsionit dhe aftësimi i ushtrisë për t’u përshtatur me standardet e NATO-s. Këto janë sfida të vështira që nuk mund të kapërcehen në një javë, po ne mendojmë se qeveria është serioze në punën e saj dhe po bën të gjitha përpjekjet. Vendet tona kanë një miqësi të ngushtë dhe shpresojmë që këto marrëdhënie të përmirësohen edhe më tej.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, plotësojnë njëra tjetrën.

“Procesi i intergrimit në NATO është komplementar me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe duke qenë komplementarë këto dy procese integrimi, kanë mobilizuar gjithë energjitë e shoqërisë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe për të reformuar shoqërinë”.

Zoti Mustafaj foli për rëndësinë e opinionit publik në këtë drejtim.

“Ne tani po shohim se vërtet mbështetja e opinionit publik është e domosdoshme për procesin e integrimit, sepse për të qenë realistë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është shumë e dobishme për shoqërinë, por shpesh herë e huton opinionin publik”

Ministrat e jashtëm të Kartës së Adriatikut patën një takim edhe me Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice.

TRE MINISTRAT KOMENTOJNE NE UASHINGTON

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë thanë mbrëmë se takimet e djeshme në Uashington ishin një nga hapat e fundit të rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO.

Ata i bënë komentet në një pritje zyrtare të shtruar nga ambasada e Maqedonisë në Uashington.

Ministrat thanë se takimet në Departamentin e Shtetit treguan jo vetëm vendosmërinë e tre vendeve të Kartës së Adriatikut për vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Nato por edhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur tre vendet në përpjekjet për vendosjen e një paqeje dhe stabiliteti të qendrueshëm në Evropën Juglindore.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë do të ketë sot takime të tjera në Uashington dhe do të flasë në Institutin e Politikës Botërore si dhe në Klubin Kombëtar të Shtypit. Po sot ai do të shkojë në Florida ku do të takohet me guvernatorin e këtij shteti juglindor Jebb Bush, vellai i Presidentit Bush.