Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj tha se sfida kryesore për qeverinë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri Mustafaj, i cili ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara për takimin e Kartës së Adriatikut, falenderoi angazhimin e Washingtonit për integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit. Duke folur për Kosovën, zoti Mustafaj u shpreh se negociatat duhet të mbyllen brenda vitit dhe se qëndrimi i Shqipërisë është për pavarësi plotë për Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë e bëri të qartë që në fillim se nga orientohet politika e jashtme e vendit të tij.
“Tani kemi kryeqytet Brukselin dhe Washingtonin”
Zoti Mustafaj ndodhet në Shtetet e Bashkuara, së bashku me homologet e tij nga Kroacia dhe Maqedonia, në kuadër të bisedimeve për Kartën e Adriatikut.
“Mund t’ju them se është një moment fatlum, sepse metropoli nuk na thërret se jemi zënë me njëri-tjetrin, pra nuk kemi luftë, por na thërret që të na zgjerojë më tepër rrugën drejt integrimit”.
Zoti Mustafaj vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara, por shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në fushën ekonomike.
Duke u ndalur në problemet e vendit të tij, Zoti Mustafaj tha se vëmendja kryesore e qeverisë është përqëndruar në luftën kundër korrupsionit, që ai e cilësosi si një problem kombëtar që pengon zhvillimin. Por krahas kësaj, shtoi ai, vendi ka një sfidë edhe më të vështirë.
“Është sfida e luftës kundër krimit të organizuar. Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë që Shqipëria të tranzitojë, apo të eksportojë krimin e organizuar drejt vendeve demokratike”.
Lufta kundër krimit të organizuar, tha ai, nuk mund të jetë e suksesshme, nëse nuk këputen lidhjet e tij me politikën.
Duke folur për Kosovën, Ministri Mustafaj shprehu bindjen e Shqipërisë se statusi përfundimtar i saj do të jetë pavarësia. Shqiptarët si shumicë, tha ai, duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë.
“Dhe përgjegjësia themelore është garantimi i të drejtave të serbëve dhe minoriteteve të tjera, të krijojë klimën e nevojshme për kthimin e të shpërngulurve dhe objektet fetare të ndjehen të mbrojtura dhe të garantuara. Kjo duhet të jetë një nga kushtet që duhet ta shoqërojë pavarësinë e Kosovës”.
Ai shtoi se Kosova nuk duhet të ndryshojë kufijtë, nuk duhet të coptohet dhe duhet të ketë një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake.