Lidhje

Burns: Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit


Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane lë të kuptohet se nëse Shqipëria bën përparim të mjaftueshëm gjatë dy viteve të ardhshme, mund t’i hapen dyert për anëtarësim në NATO. Nënsekretari i Shtetit Nicholas Burns, në komente për Zërin e Amerikës, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e Shqipërisë me aleancën. Duke folur për Kosovën, ai e pranoi se negociatat do të jenë të vështira, por shtoi se status-quoja nuk mund të vazhdojë. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj shprehu besimin se integrimi i Shqipërisë në NATO është në rrugë të mbarë:

Nënsekretari i Shtetit Nicholas Burns, shprehu mirënjohje për kontributin e vendeve të kartës së Adriatikut në misionet e NATO-s në Kosovë, Afganistan dhe Irak. Duke u ndalur tek Shqipëria, zoti Burns i tha Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit.

“Shpresojmë që Shqipëria të jetë në gjendje që të plotësojë kriteret për anëtarësim në NATO gjatë këtij viti. Qeveria e Shqipërisë po punon intensivisht. Ne e falenderojmë qeverinë e Shqipërisë për gjithë mbështetjen që ka dhënë për misionet ushtarake të NATO-s dhe shpresojmë që të bëhet përparim i mjaftueshëm gjatë një ose dy vjetësh që do të na jepte mundësinë që të kishim lajme edhe më të mira”.

Zoti Burns tha se sfidat kryesore për Shqipërinë janë ato me të cilat janë përballur të gjitha vendet që janë anëtarësuar në aleancë 10 vitet e fundit:

“Suksesi i lirisë politike dhe demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme, lufta kundër korrupsionit dhe aftësimi i ushtrisë për t’u përshtatur me standardet e NATO-s. Këto janë sfida të vështira që nuk mund të kapërcehen në një javë, po ne mendojmë se qeveria është serioze në punën e saj dhe po bën të gjitha përpjekjet. Vendet tona kanë një miqësi të ngushtë dhe shpresojmë që këto marrëdhënie të përmirësohen edhe më tej”.

Ministrat e jashtëm të tre vendeve të Kartës së Adriatikut, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, patën dje një takim të shkurtër edhe me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, i cili u takua dje edhe me Këshilltarin e Presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar Steven Hadley, tha s se integrimi i Shqipërisë në NATO është në rrugë të mbarë.

“E rëndësishme është se ne integrimin e Shqipërisë në NATO e shohim si komplementar me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, domethënë të gjitha forcat janë të mobilizuara për të realizuar ato reforma që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe krijimin e një mjedisi demokratik të plotë në Shqipëri. Në këtë mënyrë dy integrimet arrijnë një qëllim”.

Duke folur për shpresat e tij për përparimin në drejtim të integrimit euro-atlantik për këtë vit, zoti Mustafaj theksoi se një arritje u realizua me siglimin e marrëveshjes për asociim-stabilizim në Bashkimin Evropian.

“Jemi të sigurtë që brenda gjashtë-mujorit të parë ta nënshkruajmë marrëveshjen dhe njëkohësisht në samitin e ardhshëm të NATO-s të çelim më qartë perspektivat e ftesës së Shqipërisë për në NATO”.

Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Burns tha se Shtetet e Bashkuara kanë një politikë aktive për rajonin e Ballkanit që ka si qëllim t’i ndihmojë këto vende, që e ardhmja e rajonit të jetë paqja, stabiliteti dhe demokracia. Ai foli për Zërin e Amerikës për çështjen kryesore të pazgjidhur në rajon, Kosovën.

“Negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës kanë filluar. Këto janë negociata shumë të vështira dhe komplekse dhe nuk do të jenë të lehta, por ne mendojmë se status-quoja nuk mund të vazhdojë në Kosovë, kur 90 për qind e popullsisë janë shqiptarë. Kështuqë ne shpresojmë që udhëheqja shqiptare të jetë e bashkuar dhe që të garantojnë serbët e Kosovës se të drejtat e tyre do të mbrohen dhe që ata të mund të jetojnë atje. Shpresojmë gjithashtu që qeveria serbe t’i shohë seriozisht këto negociata”.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj po vazhdon vizitën në Uashington. Ai largohet nga Shtetet e Bashkuara ditën e enjte.

XS
SM
MD
LG