Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të hënën se aktet e dhunshme si ai i së premtes në mbrëmje në Zubin Potok në veri, janë të pafalshme duke bërë thirrje për vënien e autorëve përpara drejtësisë.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që rrezikon vendin, furnizimin me energji elektrike, që rrezikon ngrohjen dhe furnizimin me ujë të pijshëm”, tha ambasadori amerikan Hovenier.
Ai i bëri këto komente pas një takimi të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me përfaqësuesit e misioneve diplomatike në vend, për të diskutuar rreth sulmit që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
I pyetur nëse Serbia qëndron pas sulmit, Ambasadori Hovenier tha se është ende herët të thuhet se kush qëndron pas tij.
“Në këtë pikë Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron pas sulmit. Është herët dhe këto gjëra kërkojnë hetime të kujdesshme. Ajo që mund të them është se në kemi ofruar mbështetjen tonë për autoritetet e Kosovës. Mendojmë se është e rëndësishme të ketë hetime të besueshme dhe të thella për të identifikuar autorët dhe për t’u siguruar që do të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara “nuk janë në gjendje të përjashtojnë asnjë grup, shtet apo dikë tjetër”.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë tha ambasadori Hovenier, janë të përkushtuara të mbështesin autoritetet e Kosovës, meqë të gjithë duam t’i shohin autorët sulmit të mbahen përgjegjës.
Lexoni edhe këtë DASH: Do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit e sulmit në veri të KosovësKosova akuzoi Serbinë për sulmin të cilin e cilësoi si terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian Anitta Hipper, ritheksoi të hënën thirrjen e bllokut për vënien e autorëve para drejtësisë.
“Bashkimi Evropian mirëpret faktin se tani autoritetet e Kosovës po kryejnë një hetim mbi këtë çështje, kryesit duhet të vihen para drejtësisë”, tha ajo duke theksuar se misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë po e mbështet këtë proces.
Kryeministri Kurti fajësoi sërish Serbinë të hënën se nëpërmjet këtij sulmi është përpjekur siç tha të dëmtojë infrastrukturën kritike, të destabilizojë vendin, të cenimin cenojë sigurinë e qytetarëve, por edhe të nxisë përçarje ndëretnike.
“Ata u përpoqën të na privojnë nga uji i pijshëm, nga energjia elektrike dhe nga ngrohja në mes të dimrit, duke synuar një kolaps total të jetës sonë të përditshme dhe të sigurisë sonë. Sulme të manualit rus, sulme kundër shtetit dhe qytetarëve të vendit. Paçka se dikë atje në Beograd e brengos Republika demokratike dhe sovrane e Kosovës, e cila po zhvillohet dhe përparon me hapa të shpejtë, ata nuk ia arritën qëllimit të tyre përmes këtij sulmi, sepse Republika jonë është e fortë dhe institucionet tona janë profesionale e me integritet”, tha ai gjatë një veprimtarie të Këshillit të Investitorëve Evropianë në Prishtinë.
Beogradi mohon përfshirjen në sulmin e së premtes. Të dielën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës duke thënë se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Policia e Kosovës njoftoi të hënën se ka arrestuar edhe një person nën dyshimin së mund të ketë luajtur rol të rëndësishëm siç thuhet në njoftim, në kuadër të grupit përgjegjës për sulmin. Kjo e çon në nëntë numrin e personave të dyshuar për përfshirje në sulm dhe njërit prej tyre të dielën iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.
Policia dyshon se një pjesë e të arrestuarve janë pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila vitin e kaluar së bashku grupin “Brigada e Veriut” u shpallën si organizata terroriste nga qeveria e Kosovës.