Departamenti amerikan i Shtetit tha të dielën se mbështet përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit për sulmin e së premtes, që dëmtoi kanalin furnizues me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
“Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjithë mbështetjen për këtë përpjekje”, shkroi në platformën X zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, duke shpërndarë reagimin e dy netëve më parë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Komentet e zotit Miller, janë vazhdën e reagimeve të diplomacisë perëndimore e cila e dënoi gjerësisht sulmin dhe ofroi mbështetje për Prishtinën në përballimin e situatës së krijuar pas tij.
Ndërkohë lryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi përsëri Serbinë të dielën për përfshirje në shpërthimin e së premtes që ndërpreu furnizimin me ujë dhe energji elektrike të një pjese të mirë të vendit, pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron prapa sulmit.
“Ne besojmë se Serbia po financon këto sulme kriminale në luftën kinetike kundër Kosovës. Por, kjo po mundësohet në bashkëpunim dhe bashkërendim me Federatën Ruse”, tha ai.
Ai tha se në operacionin e së shtunës gjatë të cilit arrestuan tetë persona të dyshuar për përfshirje janë gjetur edhe emblema të ndryshme që përdoren nga njësitë ushtarake të Rusisë. Njërit prej të arrestuarve të dielën iu dha masa e paraburgimit prej një muaji.
Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.
Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron prapa sulmit.
“Si shtet serioz, ne nuk u angazhuam në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha ai.
Presidenti serb tha se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ngjarjet e fundit po dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta parandaluar terrorizmin dhe se sipas tij veprimet e saj po nxisin destabilizimin në rajon.
“Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë. Për më tepër përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimet e vazhdueshme për luftë dhe kthimin e ushtrisë krijojnë një klimë që fasiliton sulmet terroriste. Kjo strategji është një përpjekje për të mbajtur tensionet e larta dhe për të minuar sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës edhe të rajonit”, tha kryeministri Kurti.
Autoritetet në Kosovë thanë të dielën se po normalizohet furnizimi me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të vendit, që u ndërpre përkohësisht pas shpërthimit, për të cilin Prishtina fajësoi grupet e mbështetura nga Serbia.
Policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë ndërsa njoftoi të dielën se në disa operacione në veri të vendit ka konfiskuar sërish armatim dhe pajisje tjera.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.
Sulmi vetëm sa ka acaruar edhe më tej tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.