Donald Trump, kandidati kryesor për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, thotë se dikur paralajmëroi se do të lejonte Rusinë t’u bënte “çfarë të donte shteteve që nuk kanë paguar 2 për qind të buxhetit të tyre për mbrojtjen.”
Komentet e zotit Trump të shtunën krijojnë përshtypjen se ish-presidenti mori anën e një shteti autoritar në vend të asaj të aleatëve demokratikë të Amerikës. Ato gjithashtu bien ndesh me mënyrën sesi funksionon në të vërtetë NATO-ja, duke lënë të kuptohet se zoti Trump ose nuk e di, ose po shtrembëron me dashje të vërtetën, për përfitim politike.
Çfarë tha zoti Trump?
Gjatë një tubimi në Conway të Karolinës së Jugut, zoti Trump kujtoi se si gjatë kohës kur ishte president i kishte thënë një anëtari të NATO-s, që nuk e identifikoi, se do të tërhiqte ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe do “të nxiste” Rusinë që të bënte çfarë të dëshironte me aleatët që nuk kontribuojnë sa duhet për mbrojtjen.
“Nuk keni paguar? Jeni shkelës i rregullave?” zoti Trump e rrëfeu ngjarjen. “Jo, unë nuk do t’iu mbroj. Në fakt, do t’i nxisja të bëjnë çfarë t’u ketë qejfi. Duhet paguar. Duhet të paguani faturat tuaja.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u kundërpërgjigj me një deklaratë të pazakontë të fuqishme duke thënë se zoti Trump po kërcënon sigurinë e tërë aleancës transatlantike.
“Çfarëdo sugjerimi se aleatët nuk do ta mbrojnë njëri-tjetrin, minon sigurinë e të gjithë ne, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara dhe shton rrezikun ndaj ushtarëve amerikanë dhe evropianë,” deklaroi Sekretari Stoltenberg.
Presidenti Joe Biden, i cili pritet të përballet me zotin Trump në zgjedhjet presidenciale në nëntor, po ashtu bëri një deklaratë me të cilën kritikoi zotin Trump.
“Pohimi i Donald Trump-it se synon t’i hapë Putinit dritën jeshile për më shumë luftë dhe më shumë dhunë, për të vazhduar sulmin e tij brutal kundër Ukrainës së lirë dhe për të zgjeruar agresionin e tij ndaj popullit të Polonisë dhe shteteve të Baltikut është tmerrues dhe i rrezikshëm,” deklaroi zoti Biden.
Cilat ishin pasaktësitë e komenteve të zotit Trump?
Anëtarët e NATO-s nuk paguajnë për anëtarësim dhe as nuk kanë borxhe ndaj organizatës përveç kontributeve që janë kryesisht për një fond administrativ. Zoti Trump qartazi nuk u referohej këtyre pagesave administrative.
Ankesat e tij të shpeshta gjatë mandatit të tij presidencial dhe tani kanë të bëjnë me përqindjen që shtetet anëtare të NATO-s e ua kushtojnë buxheteve të tyre ushtarake.
Presidentët amerikanë para tij e kishin ngritur këtë shqetësim. Në fakt, në vitin 2014, gjatë administratës së Presidentit Barack Obama, shtetet anëtare të NATO-s u pajtuan që të “punojnë” drejt shpenzimit të 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të tyre në mbrojtje deri në vitin 2024. Sekretari Stoltenberg po ashtu ka deklaruar se shtetet anëtare duhet të investojnë më shumë në ushtritë e tyre.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Lituani, në korrik, udhëheqësit e NATO-s e përshtatën këtë premtim duke u pajtuar të shpenzonin të paktën 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në buxhete ushtarake. Gjatë takimit nuk është përcaktuar ndonjë datë si afat.
Dy për qindshi është pragu që secili anëtar duhet ta shpenzojë në mbrojtjen e vet për të qenë në gjendje të kontribuojë në mbrojtjen e përbashkët të aleancës. Megjithatë, ky synim është ndërmarrje vullnetare dhe nuk bëhet fjalë për borxh e as për “shkelje.”
Shtetet nuk i kryejnë pagesa NATO-s por investojnë në forcat e tyre të armatosura.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës para gati 2 vitesh u ka dhënë shteteve anëtare shtysë të mëtejshme për të përforcuar ushtritë e tyre.
Çfarë është NATO-ja?
Aleanca e Traktatit të Atlantikut të Veriut u themelua pas Luftës së Dytë Botërore në përpjekje për të ndalur zgjerimin e kontrollit sovjetik në Evropë ndërkohë që pjesa lindore e kontinentit po i nënshtrohej grushtit të Kremlinit.
Sekretari i parë i përgjithshëm i aleancës, Gjenerali britanik Hasting Ismay, thoshte se qëllimi është që NATO-ja “t’i mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët nën kontroll.” Ky koment shpesh i përsëritur tregon se si frika nga zgjerimi i Rusisë është pjesë e ADN-së së aleancës që nga fillimet e saj.
Rënia e Bashkimit Sovjetik solli dilema lidhur me nevojën e mëtejshme të NATO-s. Rusia e ka parë zgjerimin e aleancës në lindje me zemërim. Presidenti Vladimir Putin me vite ka paralajmëruar se Moska e sheh zgjerimin e NATO-s në pjesën që shteti i tij e konsideron si sferë historike të ndikimit të vet, si kërcënim.
Zoti Putin është përpjekur ta justifikojë luftën e tij në Ukrainë pjesërisht duke iu referuar zgjerimit të NATO-s, ndonëse Ukraina nuk kishte gjasa të menjëhershme për t’iu bashkuar aleancës kur trupat ruse e sulmuan në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, udhëheqësit e NATO-s thanë se Ukraina do të anëtarësohet në aleancë në të ardhmen.
NATO aktualisht ka 31 anëtarë. Finlanda është bërë anëtari më i ri i organizatës vitin e kaluar pas sulmit rus ndaj Ukrainës, duke i dhënë qëndrimit neutral. Suedia shpreson të anëtarësohet gjithashtu, por ende po pret miratimin e Hungarisë, shtetit anëtar të vetëm që nuk ka miratuar anëtarësimin e këtij shteti skandinav.
Çfarë tjetër tha zoti Trump rreth kësaj çështjeje?
Zoti Trump ka një histori të keqinterpretimit të NATO-s apo të sugjerimit se Shtetet e Bashkuara mund të mos nderojnë përkushtimin e tyre ndaj aleatëve. Ish- këshilltari për siguri kombëtare John Bolton në librin e tij me kujtime thotë se zoti Trump ishte gati t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja në vitin 2018.
Zoti Trump gjatë atij viti foli për NATO-n sikur të bëhej fjalë për një ndërmarrje që po falimentonte para se të vinte ai. “Shkova në NATO. Dhe NATO-ja ishte gati të falimentonte sepse njerëzit nuk po paguanin për të,” thoshte ai.
Ai po ashtu u ankua se si amerikanët janë “budallenjtë që po paguanin për gjithçka.” Shpenzimet amerikane për mbrojtjen, ndonëse shumë më shumë se 2 për qind, në fakt janë ulur ndër vite.
Megjithëse qortimi i zotit Trump ndaj aleatëve për të shpenzuar më shumë në mbrojtje gjatë presidencës së tij mund t’i ketë nxitur disa, sulmi rus ndaj Ukrainës ishte një katalizator i madh për t’i shtyrë të bëjnë investime shumë më të mëdha në mbrojtje.
Kur është vënë NATO në mbrojtje të një aleati?
Në terren, NATO-ja ka ndihmuar të ruajë paqen në Ballkan dhe ka ndihmuar të ofrojë siguri në Afghanistan pas pushtimit të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara aktivizuan nenin për mbrojtjen e përbashkët, të njohur si Neni 5, për herë të parë dhe të vetme në historinë e aleancës me rastin e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.
Edhe gjatë mandatit të tij, zoti Trump ka kërcënuar se nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve të cilët mund të sulmohen nëse nuk i ka paguar borxhet e tyre.
Mandati i tij shtroi dilema nëse Shtetet e Bashkuara mund të mbesin të përkushtuara ndaj mbrojtjes kolektive të Perëndimit, frikë që po kthehet tani kur ai pritet të garojë sërish kundër zotit Biden.
Një ligj për politikat e mbrojtjes, i miratuar në dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve, përfshin dispozita që thonë se presidentit duhet të marrë këshillën dhe miratimin e Senatit apo një vendim të Kongresit para se t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga anëtarësimin në NATO.