Lidhje

Presidenti Biden shkon në Evropë për takimin vjetor të NATO-s


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbërrin mbrëmjen e së dielës në Britani, ndalesa e parë e udhëtimit në tre shtete, që do të mbizotërohet nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Lituani, që synon të dëshmojë përkrahjen ndaj Ukrainës përballë agresionit rus, ndërsa presidenti Biden thotë se Kievi nuk është gati për t’u anëtarësuar në aleancë.

Të hënën, udhëheqësi amerikan do të takohet me Kryeministrin Rishi Sunak dhe Mbretin Charles për herë të parë që kur u kurorëzua.

Udhëheqësi amerikan dhe Kryeministri Sunak do të zhvillojnë bisedime për një gamë të gjerë çështjes. Lufta në Ukrainë do të jetë tema kryesore e bisedimeve të të dy udhëheqësve përpara se të marrin pjesë në takimin e NATO-s në Vilnius, ku do të flitet lidhur me synimet e Kievit për t’u anëtarësuar në aleancë.

Në vitin 2008 udhëheqësit e NATO-s thanë se Ukraina e ka vendin në aleancë, por nuk kanë përcaktuar një udhërrëfyes, pavarësisht thirrjeve të forta për anëtarësim nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

SHBA dhe Britania e Madhe janë ndër mbështetësit më të fortë perëndimorë të Kievit. Disa analistët thonë se Londra ka ndikuar tek Uashingtoni lidhur me mbështetjen ushtarake për Kievin, përfshirë dërgimin e tankeve dhe përpjekjet për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të modelit F-16.

Britania e Madhe nuk arriti të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit për të zgjedhur Sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace në krye të NATO-s, ndërsa u zgjat me një vit mandati i Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Marrëdhëniet transatlantike janë tendosur vitet e fundit si rezultat i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, një akt që zoti Biden thotë se e ka dëmtuar Britaninë.

Për Kryeministrin Sunak, vizita e Presidentit Biden ofron një lehtësim të shkurtër nga problemet me të cilat përballet vendi i tij si rezultat i një ekonomie të dobët dhe polemikave brenda partisë së tij.

Si zoti Biden ashtu edhe udhëheqësi britanik përballen me zgjedhje vitin që vjen.

XS
SM
MD
LG