Një plantacion ku rriteshin fidanë, të dyshuar si bimë narkotike cannabis sativa, është zbuluar gjatë një operacioni të policisë në vendin e quajtur “Badrat e Mehajve”, në Malësi të Madhe, vetëm 1 kilometër larg qytetit të Koplikut. Një 52 vjeçar, Nesti Velaj, alias Ernest Veshta, banues në Bajzë të Malësisë së Madhe, është arrestuar pasi mendohet të jetë organizator i kësaj veprimtarie. Policia bëri të ditur se ndërkohë, po ndiqen në gjendje të lirë edhe drejtori i Shërbimit pyjor në Malësinë e Madhe, Gjovalin Gjekaj, një specialist i Ujësjellësit si dhe hidrauliku që mbulon zonën ku u zbulua plantacioni me bimë narkotike.
Në total janë 27 serra, ku u gjetën rreth 8 mijë fidanë, të mbjellë në kubikë dhe të gatshëm për t’u shpërndarë dhe kultivuar më pas. Policia shpjegoi se ato ishin ngritur në thellësinë 20 metër poshtë një krateri, i cili përdorej për marrjen e inerteve nga firmat private të ndërtimit. Bëhet fjalë për sasinë më të madhe të bimëve narkotike të kultivuara, që policia ka sekuestruar gjatë këtij viti.
Gjatë kontrollit në banesën e 52 vjeçarit nga Bajza, policia tha se gjeti dhe sekuestroi 3 armë gjahu, municion luftarak si dhe 5 armë të ftohta që i mbante pa leje. Velaj do të duhet të përballet tani me akuzat për të paktën 3 vepra penale: “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërsa drejtori i Shërbimit pyjor dhe dy punonjësit e ujësjellësit, dyshohen për “Shpërdorim detyre”.
Malësia e Madhe është një nga zonat më problematike në Shqipëri për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Afërsia e kufirit me Malin e Zi, territori malor dhe vështirësitë për kontrollin e plotë të tij, vazhdojnë të favorizojnë kultivuesit dhe trafikuesit e bimëve narkotike.
Sipas drejtueses së task forcës vendore anti cannabis, Majlinda Angoni, gjatë këtij viti janë zbuluar 89 raste më shumë se një vit më parë të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike dhe janë proceduar penalisht 111 persona. Ndërsa drejtori i policisë së qarkut, Ervin Hoda, thotë se paralelisht, janë shtuar edhe rastet e shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkolla dhe lokale. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, në Shkodër janë kapur 30 shpërndarës të lëndëve narkotike.