Në Shqipëri, policia njoftoi sot se ka sekuestruar një sasi prej 870 kilogramë marijuanë, e gjetur në 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe në 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi. Sasia e madhe, u zbulua në një fshat të Beratit, në brendësi të një serre e cila përdorej për përpunimin dhe amballazhimin e lëndës narkotike. Në pranga kanë përfunduar 11 persona, mes të cilëve pronari i serrës, dy gra D. M., 43 vjeçe dhe I. M., 25 vjeçe, që së bashku me disa të tjerë monitoronin aktivitetin brenda serrës, si dhe roje të armatosura që mbikqyrnin vendin.
Në momentin e ndërhyrjes policia ka gjetur dy pistoleta dhe një kallashnikov, që mbaheshin nga tre prej të arrestuarve si dhe sasi të mëdha parashë. Brenda serrës “janë sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, 4 automjete dhe një numër i madh aparatesh celulare të shtetasve të arrestuar, si dhe të shtetaseve të cilat u gjetën në serra, duke përpunuar bimët narkotike”, bëri të ditur Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati.
Janë 95 gra dhe vajza, nga zona të tjera të vendit, që ishin punësuar për amballazhimin e bimëve narkotike. Mësohet se ato paguheshin 5 mijë lekë të reja në ditë, ndërsa fillimisht u ishte thënë se do të mblidhnin ullinj. Një pjesë e tyre kishin jetuar dhe ishin ushqyer me ditë të tëra brenda serrës. Prokurorja e Beratit Albiona Papajani tha se të gjitha gratë dhe vajzat po hetohen në gjendje të lirë dhe pasi janë marrë në pyetje janë transportuar me mjetet e policisë nëpër banesat e tyre.
Si policia ashtu dhe prokuroria, “për të mos prishur hetimet në vijim”, u treguan të rezervuara për të dhënë detaje për origjinën e lëndës narkotike që furnizonte serrën ku bëhej përpunimi dhe amballazhimi .