Në Shqipëri, policia e Vlorës, njoftoi të hënën në mbrëmje se ka sekuestruar 260 kilogram marijuanë si dhe dy automjete, Camper-a, ku ndodhej e fshehur droga. Janë arrestuar 4 të rinj rumunë të moshave nga 20 deri 24 vjeç, të cilët po udhëtonin me to, drejt Greqisë. Në kërkim janë shpallur 5 shtetas shqiptarë të cilët dyshohen të jenë bashkëpunëtorë të tyre.
Operacioni i koduar “Camper”, u koordinua nga Prokuroria e Vlorës, dhe në të u angazhuan dhe forcat policore të Sarandës dhe Himarës. Sipas Drejtorit të Policisë së Vlorës, Ermal Muçaj “nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit rumunë, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marrë me qira campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej”.
Sasi e marijuhanës u gjet në ndarje të fshehta, të përshtatura artificialisht, brenda të dy automjeteve që po ashtu ishin me targa rumune. Për arsye të hetimit, policia nuk dha gjeneralitetet e bashkëpunëtorëve shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet.
Kultivimi i marijuhanës, kryesisht për qëllime trafikimi jashtë vendit, vijon të mbetet një fenomen shqetësues, pavarësisht rënies së sipërfaqeve të mbjella. Nëntorin e kaluar policia zbuloi 870 kilogramë cannabis sativa në një serë në një fshat të Beratit. Ndërkohë që duket se tani po trafikantët po synojnë edhe të ashtuquajturat “shtëpi bari”, për kultivimin e marijuhanës.