I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se duhet të gjindet një zgjidhje sa më parë për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në veriun e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi. Takimi i tyre është pjesë e përpjekjeve të reja në Bruksel për të gjetur një zgjidhje pas tensionimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë për shkak të mospajtimeve mbi çështjen e targave të makinave. Nga Prishtina njofton korrespondentja jonë, Edlira Bllaca.
Your browser doesn’t support HTML5
Tensionet në zonë u shtuan pasi qeveria e Kosovës filloi me 1 nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.
Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.
Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.
“Nuk mund të arrijmë këtë datë pa një marrëveshje, ose do të jemi në prag të situatës së rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve nga institucionet në veri nga policia, gjyqësori, nga kryetarët e komunave ka krijuar një boshllëk dhe në këtë situatë më e keqja mund të ndodhë, pra të dyja palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet”, tha shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimi Evrpian, Josep Borrell.
Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa punonjësit serbë të kthehen në institucionet që i braktisën më 4 nëntor dhe të krijojnë hapësirë për diskutimin e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje mes palëve.
Zyrtarët evropianë thanë se do të përpiqen për tejkalimin e krizës aktuale nëpërmjet bisedimeve me udhëheqësit e delegacioneve të të dyja palëve dhe nëse ka ndonjë përparim do të thërrasin një takim të nivelit më të lartë politik.
Ndërkaq të hënën në mbrëmje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli se zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës do të mbahen me 18 dhjetor, mes pikëpyetjeve për mbajtjen e tyre për shkak të tensioneve në zonë.
Lexoni edhe këtë Presidentja e Kosovës caktoi 18 dhjetorin ditë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e venditPërfaqësuesit e Listës serbe, që është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, thanë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje ndërsa shefi i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç tha se përpjekjet për të mbajtur zgjedhjet do të dështojnë.