Lidhje

Presidentja e Kosovës caktoi 18 dhjetorin ditë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veriun e vendit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën në mbrëmje se zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës do të mbahen me 18 dhjetor, mes pikëpyetjeve për mbajtjen e tyre për shkak të tensioneve në zonë.

Vendimi u shpall pas takimit konsultativ që presidentja Osmani zhvilloi gjatë ditës me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilin e bojkotuan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.

Vendimi për zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri: Mitrovicë Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pasoi dorëheqjen e përfaqësuesve politikë e institucionalë të serbëve të Kosovës që kundërshtuan konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e vendimit për targat më 1 nëntor fillimisht me lëshimin e paralajmërimeve për ata që përdorin targat e vjetra serbe ndërkohë që në fazën e dytë tha se do të gjobis të gjithë pronarët e makinave që nuk i riregjistrojnë ato.

Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.

Në vendimin e saj, presidentja Osmani tha se ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ndërmarrë veprimet për “organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me ligjin në fuqi”.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga radhët e subjekteve të vogla poltike, pjesëmarrës në takimin me presidenten Osmani, i kanë kërkuar asaj që të mos shpejtoj me shpalljen e zgjedhjeve me qëllim të shmangies së tensioneve të mundshme.

Lista serbe, nuk e komentoi vendimin për zgjedhjet.

Pak ditë pas shpalljes së vendimit të qeverisë së Kosovës për shkallëzim të masave për targat, përfaqësuesit e serbëve lokalë më veri u larguan nga institucionet qendrore e lokale, përfshirë edhe gjyqësorin. Afro 600 pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës dorëzuan detyrën dhe pajisjet, pas vendimit për pezullim te drejtorit të Policisë për veriun, Nenad Gjuriç, që refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve në Prishtinë te shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për targat kurse serbëve lokalë të kthehen urgjentisht në institucione.

Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, të hënën bëri thirrje për zgjidhje urgjente të çështjes së targave dhe e cilësoi situatën në Kosovë si më te rëndën dhe të rrezikshmen prej afro dhjetë vjetësh.

Presidentja Osmani ndërkohë iu kërkoi, siç tha, partnerëve ndërkombëtarë që t’i vëzhgojnë zgjedhjet dhe tha se institucionet e sigurisë që “qytetarët të ndjehen të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese”.

XS
SM
MD
LG