Me 68 vota për, asnjë votë kundër dhe gjashtë abstenime, parlamenti i Kosovës e miratoi në parim projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
“E ngarkojmë komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregullore të parlamentit ta shqyrtojnë projektligjin dhe parlamentit të ia paraqesin raportin me rekomandime”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Partia Demokratike e Kosovës nuk morri pjesë në votimin e këtij projektligji ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi heqjen e tij nga rendi i ditës.
Organizata e Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u hodh në protestë javën që shkoi, ka paralajmëruar protestat të reja.
Lexoni edhe këtë Kosovë: Veteranët e luftës në protestë për projektligjin mbi pagatPensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin që u miratua në parim, nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.
Projektligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, qeveria e Kosovës, me propozimin e ministrisë për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni i mundshëm”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha në një konferencë për media se përjashtimi i veteranëve nga ky projektligj është veprim i turpshëm.
“Veteranët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë tonë, shteti ynë dhe pavarësia jonë e ka në themel luftën për liri të këtyre burrave e grave që kanë rrezikuar jetën dhe kanë lënë pjesë të trupit të tyre në vija të frontit, ata janë manifestim i gjallë i sakrificës tonë kolektive për liri e pavarësi. Fatkeqësisht kryeministri Kurti dhe qeveria e tij, me vetëdije të plotë po përpiqet të shkëpus kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice”, tha zoti Krasniqi.
Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha para hedhjes së projektligjit në votim, se ai do të duhej të kthehej në qeveri për diskutim.
“Unë mendoj se do të ishte shumë e mençur, profesionale dhe llogaridhënëse që ky ligj të tërhiqet prej ministrit të financave, të ulemi të diskutojmë ndërlidhjen dhe të ecim tutje. Kjo kërkesë është legjitime dhe minimale në raport me krejt çështjet që i kemi ngritur dhe debatet që i kemi pasur, nuk ka të bëjë me pozicion opozitar ose politik”, tha zoti Tahiri.
Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011 dhe sipas njohësve të kësaj fushe kjo nuk ka ndodhur kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive në vend.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, Kosova deri tani ka pasur pagën më të ulët minimale në tërë Evropën, me 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.