Qindra pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përplasën me policinë të hënën, gjatë një proteste në të cilën kërkuan pensione më të larta.
Protesta u mbajt derisa ligjvënësit po mblidheshin për të diskutuar projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale nga 170 euro sa është aktualisht në 264 euro.
Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin që qeveria dërgoi në parlament nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Projektligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, qeveria e Kosovës, me propozimin e ministrisë për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni i mundshëm”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku, tha se me këtë projektligj lihen anash kategoritë e dala nga lufta dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“U vendos që të protestohet kundër diskriminimit që po u bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Deputetët e zgjedhur të popullit duhet t’u shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëset e parlamentit, e nuk duhet t’u shërbejnë interesave të politikës ditore. Jemi injoruar nga institucionet e vendit prandaj u detyruam që kërkesat dhe pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë”, tha ai.
Policia tha dy pjesëtarë të saj dhe të paktën një protestues kërkuan ndihmë mjekësorë pas përplasjeve në oborrin e parlamentit, por mohoi të ketë përdorur gazin lotsjellës. Në një komunikatë të policisë hidhen dyshimet që lloji i gazit apo tymit, është hedhur nga brenda turmës së protestuesve.
Brenda parlamentit ligjvënësit dështuan të votojnë projektligjin për pagën minimale që kundërshtohet edhe nga partitë opozitare.
“Kjo çështje është mirë të zhvendoset për një seancë tjetër pasi t’i nënshtrohet edhe një debati së bashku me qeverinë e Kosovës. Ne sot shohim edhe acarimin e gjendjes, ne nuk jemi këtu për të tensionuar situatën, ne jemi për të zgjidhur probleme”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Vendimi që të shkëputet paga minimale nga përfitimet që i marrin veteranët e luftës dhe disa prej skemave tjera është puro politik. Unë kërkoj që kjo të mos shkojë përpara, të kthehet prapa, të bëjmë dialog edhe me veteranët edhe me të tjerët e pastaj të ecim përpara”, tha Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Mos luani me këto gjëra, të gjithëve turp duhet të ju vijë që e keni sjellë situatën të bëhet kjo bisedë, me 35 apo 40 euro të veteranëve. E gjetët t’i ndani ata për të kryer punë të tjera. Po, duhet t’u mundësohet të punojnë pa e humbur pensionin e veteranit, por jo të luhet me ta, jo të poshtërohen e të detyrohen të vijnë para derës suaj”, tha Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, Armend Muja nga lëvizja Vetëvendosje tha se kësisoj po humbin mundësinë për rritje të pagës minimale 120 mijë punonjës.
“Dhjetë vjet nuk është trajtuar ky problem, pikërisht për shkak të defekteve të tilla, mos e bëj këtë apo atë, pastaj protesta. Mirëpo ne duhet në mënyrë metodike t’i trajtojmë, rritet paga minimale për 120 mijë veta, e adresojmë problemin e 40 mijë vetave pastaj edhe shtresave të tjera një nga një. Por nuk mund të themi që 120 mijë persona nuk kanë të drejtë t’u rritet paga minimale sepse disa nuk trajtohen”, tha ai.
Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011 dhe sipas njohësve të kësaj fushe kjo nuk ka ndodhur kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive në vend.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, Kosova aktualisht ka pagën më të ulët minimale në tërë Evropën dhe ajo sillet nga 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.