Hapat e ardhshëm për Finlandën dhe Suedinë për anëtarësimin në NATO

Finlanda dhe Suedia kanë sinjalizuar synimet e tyre për t'u anëtarësuar në NATO si rezultat i agresionit rus në Ukranë. Procesi i anëtarësimit pritet të ecë me shpejtësi pasi vendet të dorëzojnë zyrtarisht dokumentacionin për anëtarësim në aleancën më të madhe të sigurisë në botë.

Presidenti rus Vladimir Putin tashmë e ka bërë të qartë se do të ketë pasoja nëse dy vendet nordike i bashkohen aleancës. Situata tregon se sa e rëndësishme është që NATO-ja ta miratojë me shpejtësi anëtarësimin në aleancën që ofron siguri. Finlanda dhe Suedia janë partnerë të ngushtë të NATO-s. Këto dy shtete kanë demokraci funksionale, ushtri të mirëfinancuara dhe kontribuojnë në operacionet ushtarake të aleancës dhe sigurinë ajrore. Të vetmet pengesa për anëtarësim janë thjeshtë të natyrës teknike, ose ndoshta politike.

SA KOHË DO TË DUHET PËR ANËTARËSIMIN E FINLADËS DHE SUEDISË NË NATO?

NATO-ja thotë se procedura e anëtarësimit mund të përfundojë brenda pak javësh. Pjesa që kërkon më shumë kohë është ratifikimi i protokollit të anëtarësimit nga 30 vendet e aleancës, ku në disa raste kërkohet votimi nga parlamenti. Kjo pjesë mund të zgjasë disa muaj. Ky proces për kandidatët e fundit mori 8 deri 12 muaj.

Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly tha të hënën se Kanadasë mund t’i duhen pak ditë për të dhënë pëlqimin. Procesi më i shpejtë i anëtarësimit ishte për Gjermaninë Perëndimore, Turqinë dhe Greqinë, që zgjati rreth katër muaj në vitet 1950-të kur NATO-ja ishte shumë më e vogël se gjysma e aleancës së sotme. Por sigurisht që vëmendja është përqendruar tek lufta në kufirin e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania, mes vendeve të tjera, janë të gatshme të ofrojnë mbështetje sigurie nëse është e nevojshme derisa të përfundojë procesi.

PROCESI I ANËTARËSIMIT TË NATO

Procesi i anëtarësimit në NATO nuk është i zyrtarizuar dhe hapat mund të ndryshojnë. Por fillimisht duhet të dorëzohet një kërkesë anëtarësimi, që zakonisht vjen nga qeveria ose drejtuesi i një qeverie që kërkon anëtarësim. Më pas, NATO-ja e vlerëson kërkesën në një mbledhje të Këshillit të Atlantikur të Veriut (NAC) të 30 vendeve anëtare, ndoshta në nivel ambasadorësh. NAC vendos nëse do të hapet procesi dhe hapat që duhen ndërmarrë.

Kjo varet se sa mirë janë të harmonizara vendet kandidate me standardet politike, ushtarake dhe ligjore të NATO-s dhe nëse ato kountribuojnë në sigurinë e aleancës. Në rastin e Finladës dhe Suedisë kjo nuk përbën asnjë problem.

SI FUNKSIONOJNË BISEDIMET E ANËTARËSIMIT?

Bisedimet e pranimit zhvillohen pasi NAC hap dritën jeshile. Diskutimet ka të ngjarë të përfundojnë brenda një dite dhe më pas gjithçka është e mirëfilltë.

Vendit kandidat i kërkohet të angazhohet për zbatimin e rregullores së NATO-s dhe pikërisht parimit themelor për mbrojtjen kolektive që garanton se një sulm ndaj një vendi anëtar do të përballet me përgjigje nga të gjitha vendet e aleancës. Vendi kandidat duhet të kontribuojë financiarisht për buxhetin e NATO-s i cli është rreth 2.5 miliardë dollarë.

Vendi kandidat njoftohet se cili do të jetë roli i tij në planet e NATO-s për mbrojtjen dhe për çdo detyrim tjetër ligjor ose të sigurisë që mund të ketë, si verifikimi i personelit dhe trajtimi i informacioneve sekrete. Zyrtarët e NATO-s përpilojnë një raport për të informuar aleatët lidhur me rezultatin e bisedimeve. Raporti nënvizon se çfarë çështjesh janë ngritur me vendin partner dhe çfarë angazhimesh ka marrë.

Në të njëjtën kohë, vendi kandidat dërgon një letër, zakonisht nga një ministër i Jashtëm, ku konfirmon se ai vend i pranon të gjitha këto detyrime.

KUR NJOFTOHET PRANIMI?

Raporti i anëtarësimit dhe letra e vendit kandidat i dorëzohen edhe një herë Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC) për një vendim përfundimtar. Këshilli shqyrton dhe vëndos përfundimisht nëse do të nënshkruajë protokollin e anëtarësimit me vendin kandidat.

Në rast pranimi, mbahet një ceremoni e vogël duke i dhënë një formë simbolike dhe ligjore kësaj pjese të procesit të anëtarësimit. Protokolli më pas u dërgohet vendeve anëtare për ratifikim, disa prej të cilave kërkojnë miratimin nga parlamenti.

Pas përfundimit të këtij procesi, vendi i ftuar ratifikon protokollin dhe e depoziton atë në Uashington. Kjo shënon zyrtarisht anëtarësimin dhe flamuri i atij vendi ngrihet në oborrin e selisë së NATO-s në Bruksel.

A KA KUNDËRSHTIME PËR ANËTARËSIMIN E TYRE?

NATO-ja i merr të gjitha vendimet e saj me konsensus, kështu që çdo vend ka të drejtën e vetos. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ngriti shqetësime javën e kaluar në lidhje me qëndrimin e Finlandës dhe Suedisë ndaj militantëve kurdë, të cilët Turqia i cilëson si terroristë.

Zoti Erdogan nuk kërcënoi drejtpërdrejt me veto ndaj anëtarësimit dhe zyrtarët e analistët besojnë se ai nuk do të jetë pengesë. Asnjë vend tjetër nuk ka ngritur kundërshtime serioze për anëtarësimin e tyre, qoftë publikisht, brenda vendi, apo në selinë e NATO-s në Bruksel, thonë zyrtarët.