Lidhje

Rrethanat që po shtyjnë Finlandën dhe Suedinë drejt anëtarësimit në NATO


STOKLHOM / HELSINKI - Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë të jenë në prag të aplikimit për anëtarësim në NATO.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe Kryeministrja Sanna Marin thanë të enjten se Finlanda, e cila ndan një kufi të përbashkët me Rusinë prej 1300 kilometrash, duhet të aplikojë "pa vonesë" për t'iu bashkuar NATO-s.

"Shpresojmë që hapat që duhen ndërmarrë në vend për të arritur tek ky vendim do të ndërmerren me shpejtësi gjatë ditëve në vazhdim", thanë ata.

Në Suedi, Partia Socialdemokrate në pushtet pritet të vendosë të dielën nëse do të ndryshojë politikën prej dekadash kundër anëtarësimit në NATO, një lëvizje që do ta shtynte me siguri Stokholmin drejt aplikimit për anëtarësim në aleancën e përbërë nga 30 vende.

Moska ka paralajmëruar se mund të dislokojë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën e saj në Evropë, Kaliningradin, nëse këto dy vende paraqesin aplikimet për anëtarësim, duke sinjalizuar kështu për një periudhë të tensionuar pritjeje gjatë muajve që nevojiten për ratifikimin e anëtarësimeve të reja nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

NATO-ja dhe Shtëpia e Bardhë kanë shprehur besimin se munden t'i përballojnë të gjitha shqetësimet e sigurisë gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme.

Por, cilat janë disa nga aspektet që sollën këtë ripozicionim radikal të politikave për hapat e ardhshëm që nevojiten për t'u anëtarësuar në aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara?

PËRSE NUK JANË ANËTARE TË NATO-S SUEDIA DHE FINLANDA?

- Të dyja këto vende kanë qenë neutrale që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kanë forca të vogla ushtarake.

- Finlanda fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe luftoi dy herë kundër saj gjatë luftës, duke humbur edhe pjesë të territorit që e mori Moska. Finlanda nënshkroi një Marrëveshje Miqësie, Bashkëpunimi dhe Asistence të Ndërsjelltë me Rusinë në vitin 1948, duke finalizuar kështu një varësi ekonomike dhe politike dhe duke u izoluar ushtarakisht nga Evropa Perëndimore.

- Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik i mundësuan Finlandës të dilte nga zona e influencës së Rusisë, ndërkohë që ra rreziku nga Moska.

Takimi i fundit i gjeneralëve të Traktatit të Varshavës (Moskë, 25 mars 1991)
Takimi i fundit i gjeneralëve të Traktatit të Varshavës (Moskë, 25 mars 1991)

- Për ta ruajtur paqen, Finlanda është mbështetur tek forcat e saj ushtarake dhe marrëdhëniet miqësore me Moskën. Por, me sulmin e Rusisë në Ukrainë, që Moska e quan "një operacion special", Presidenti rus Vladimir Putin shfaqet tashmë me një staturë aspak miqësore.

- Suedia nuk ka bërë luftë prej 200 vitesh dhe politika e saj e jashtme është përqëndruar në forcimin e demokracisë ndërkombëtare, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.

- Suedia i kushtoi më pak rëndësi ushtrisë së saj gjatë Luftës së Ftohtë, duke shpresuar se në rast të një konflikti do të mund ta vononte një avancim rus derisa t'i vinin në ndihmë. Ofensiva e Presidentit rus Putin në Ukrainë, e ka bërë shumë më tërheqëse garantimin e një ndihme ushtarake.

- Sidoqoftë, shumë të majtë në Suedi vazhdojnë ta shohin me dyshim axhendën amerikane të sigurisë dhe NATO-n, e cila mbështetet përfundimisht tek kapaciteti parandalues i arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara.

- Finlanda dhe Suedi kaluan nga një neutralitet zyrtar, drejt një paanësie ushtarake në vitin 1995 kur hynë në Bashkimin Evropian.

- Të dyja vendet i janë afruar më shumë NATO-s gjatë viteve të fundit, duke shkëmbyer informacione zbulimi dhe duke marrë pjesë në stërvitjet e aleancës, në përgjigje të një Rusie gjithnjë e më agresive.

Gjatë një stërvitjeje të NATO-s në Spanjë ku morën pjesë 14 vende të NATO-s, si dhe Finlanda dhe Suedia (tetor 2014)
Gjatë një stërvitjeje të NATO-s në Spanjë ku morën pjesë 14 vende të NATO-s, si dhe Finlanda dhe Suedia (tetor 2014)

- Anëtarësimi në NATO do t'i vendoste Suedinë dhe Finlandën nën mbrojtjen e Nenit 5, i cili garanton se një sulm ndaj një vendi aleat në NATO është një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare.

SA E GJERË ËSHTË MBËSHTETJA PËR ANËTARËSIMIN NË NATO?

- Sondazhet tregojnë se një shumicë e konsiderueshme e suedezëve e mbështesin anëtarësimin në NATO, me mbi 60% sipas sondazhit të fundit, si dhe ekziston një shumicë në parlament në mbështetje të aplikimit për anëtarësim.

- Social Demokratët e Suedisë - partia më e madhe që ka mbajtur pushtetin për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar - ka mbrojtur prej kohësh mos-angazhimin ushtarak, por do të rishikojë të dielën kundërshtitë e saj ndaj një vendimi për anëtarësim. Kjo parti pritet të mbështesë gjerësisht anëtarësimin.

- Partia e Majtë Suedeze - dikur Partia Komuniste - mbetet kundër anëtarësimit, ashtu si Partia e Gjelbër, por nëse socialdemokratët do të ndryshonin qëndrim, kjo do të krijonte një shumicë dërrmuese në favor në parlament.

- Sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja për anëtarësimin në Finlandë ka qenë edhe më e fortë se në Suedi, me shumë finlandezë që janë të ndërgjegjshëm për kufirin e gjatë tokësor me Rusinë, ndërsa mbështetja në parlament për aplikimin për anëtarësim është gjithashtu e gjerë.

- Komisioni i mbrojtjes i parlamentit finlandez tha këtë javë se anëtarësimi në NATO ishte alternativa më e mirë për të garantuar sigurinë kombëtare.

KUR MUND TË ANËTARËSOHEN?

- Finlanda disponon një "opsion" drejt NATO-s, një lloj plani veprimi që parashikon aplikimin nëse situata e sigurisë përkeqësohet, ndërsa parlamenti suedez do të paraqesë një rishikim të ri të politikës së sigurisë të premten, megjithëse nuk pritet të përmbajë një rekomandim të qartë në lidhje me NATO-n.

- Social Demokratët e Suedisë kanë thirrur një debat parlamentar për NATO-n që do të zhvillohet të hënën. Nëse kjo parti jep mbështetje, qeveria mund të kërkojë një votim në Riksdag për dërgimin e aplikimit për anëtarësim, megjithëse kjo nuk është zyrtarisht e nevojshme.

- Kryeministrja socialdemokrate Sanna Marin, e cila kryeson koalicionin me pesë parti të qendrës së majtë të Finlandës, dhe Presidenti Sauli Niinisto kanë vizituar vendet anëtare të NATO-s javët e fundit për të siguruar mbështetje për një aplikim të mundshëm.

- Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, gjithashtu socialdemokrate, ka patur takime të shumta me qeveritë e vendeve të NATO-s.

- Megjithëse nuk ka një afat të caktuar kohor për aplikimet, ekzistojnë disa hapa të përcaktuara që Helsinki dhe Stokholmi duhet të ndjekin në procesin e anëtarësimit në NATO.

XS
SM
MD
LG