Lidhje

Grevë e përgjithshme në Izrael mes thirrjeve për armëpushim


Një grevë e përgjithshme në Izrael ndërpreu punën në banka, transportin publik, spitale, dyqane dhe aeroportin kryesor të vendit, pasi sindikata më e madhe izraelite është vënë në përpjekje për të ushtruar trysni mbi qeverinë për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, një ditë pasi gjashtë pengje të tjerë u gjetën të vdekur në Gaza.

Arnon Bar-David, kryetar i sindikatës Histadrut, tha të dielën se arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gaza "është çështja më e rëndësishme".

“Deri më tani kemi treguar shumë përgjegjësi dhe nuk ka qenë e lehtë”, tha zoti Bar-David. "Por mendoj se ne nuk mund të rrimë duarkryq. Ne nuk mund të injorojmë klithmat e fëmijëve tanë që po vriten në tunelet në Gaza; është e papërfytyrueshme...”

Me sa duket, pengjet u qëlluan për vdekje nga militantët në kohën kur trupat izraelite po i afroheshin vendndodhjes së tyre në Gaza. Ministria e Jashtme e Izraelit tha herët të hënën se një ekzaminim mjeko-ligjor tregoi se pengjet u vranë nga të shtënat me armë zjarri nga afërsia, 48-72 orë para ekzaminimit.

Greva e së hënës pasoi protestat e së dielës mbrëma, në të cilat dhjetëra mijëra njerëz kërkuan që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të binte dakord për një armëpushim.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Netanyahu në Jerusalem. Në Tel Aviv, të afërmit e pengjeve parakaluan me arkivole për të simbolizuar numrin e të vdekurve.

Protesta u duk se ishte më e madhja në gati 11 muaj lufte.

Më herët të dielën, kryeministri Netanyahu u zotua të intensifikojë luftën me Hamasin pasi ushtria izraelite gjeti trupat e pengjeve të vdekur.

"Ata që vrasin pengjet nuk duan një marrëveshje" për një armëpushim në Gaza, tha kryeministri Netanyahu në një deklaratë, duke u thënë udhëheqësve të Hamasit, "ne do t'ju gjuajmë, do t'ju kapim dhe do t'i lajmë hesapet".

Ai akuzoi gjithashtu Hamasin për kryerjen e një sulmi me armë zjarri më herët të dielën që vrau tre oficerë policie pranë qytetit të Hebronit në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Hamasi e quajti atë një "operacion heroik të rezistencës", përgjegjësinë për të cilin e morën brigadat Al AQassam.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore palestineze dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara po vazhdojnë një fushatë të gjerë vaksinimi kundër poliomielitit në Rripin e Gazës.

Fushata e udhëhequr nga OKB-ja, synon të vaksinojë rreth 640 mijë fëmijë në Rripin e Gazës, pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për ndërprerje të shkurtra luftimesh.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi muajin e kaluar se një fëmijë më pak se 1 vjeç ishte paralizuar pjesërisht nga virusi i poliomielitit, rasti i parë i tillë në territor pas 25 vjetësh.

Militantët e Hamasit vranë rreth 1200 veta dhe morën peng 250 të tjerë gjatë një sulmi në Izraelin jugor tetorin e vitit 2023. Kundërsulmet izraelite lanë pas vetes rreth 41,000 palestinezë të vrarë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, ndërsa ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin disa mijëra luftëtarë të Hamasit.

Izraeli thotë se beson që 101 pengje izraelite dhe të huaj mbeten në Gaza, por rreth një e treta e tyre besohet të kenë të vdekur, ndërsa fati i të tjerëve nuk dihet.

Zyrtarë të lartë të Hamasit thanë se Izraeli, me refuzimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi, është përgjegjës për vdekjet më të reja.

Forumi i Familjeve të Pengjeve i bëri thirrje kryeministrit Netanyahu të marrë përgjegjësinë dhe të shpjegojë se çfarë po e pengonte një marrëveshje.

*Pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe France-Presse.

XS
SM
MD
LG