Lidhje

Gazë, fillon vaksinimi kundër poliomielitit


Autoritetet shëndetësore në Gazë nisën të shtunën vaksinimin e fëmijëve kundër poliomielitit.

Fushata në shkallë të gjerë në të cilën synohet vaksimimi i 640 mijë fëmijëve palestinezë pritet të nisë të dielën. Mjekët bënë thirrje për një “armëpushim të vërtetë” në mënyrë që kjo fushatë të jetë e sukseshme.

Fushata e vaksinimit, është një plan ambicioz në mes të luftës që ka shkatërruar sistemin shëndetësor.

Rasti i parë i poliomielitit në Gazë, pas 25 vjetësh, u regjistrua muajin e kaluar. Ai është një fëmijë 10 muajsh, i cili është paralizuar në këmbë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se fakti i paralizës tregon se mund të ketë edhe qindra persona të tjerë që janë infektuar, por që nuk shfaqin simptoma.

Shumë të prekur nga poliomieliti nuk kanë simptoma dhe shërohen brenda rreth një jave. Por në rastet kur nuk merret mjekim dhe poliomieliti shkakton paralizë, ajo është e pakurueshme. Nëse paraliza prek indet dhe muskujt e frymëmarrjes, sëmundja mund të jetë fatale.

Fushata e vaksinimit nuk pritet të jetë e lehtë pasi rrugët e Gazës janë të shkatërruara, spitalet janë dëmtuar rëndë dhe popullsia është zhvendosur edhe në zona të izoluara.

Të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte arritur një marrëveshje me Izraelin për amëpushim ditor me qëllim vaksinimin e një pjese të popullatës.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Gazë thanë se si pasojë e sulmeve izraelite të shtunën u vranë së paku 48 persona. Sulmet u kryen në qendër dhe jug të rajonit.

XS
SM
MD
LG