Shtetet e Bashkuara nuk presin hapjen e menjëhershme të negociatave zyrtare me Kinën për kontrollin e armëve bërthamore, por kërkojnë fillimin e diskutimeve mbi masat praktike të uljes së rrezikut, tha të enjten një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Pranay Vaddi, zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, foli gjatë një debati në një institut në kryeqytetin amerikan mbi rëndësinë e fillimit të bisedimeve paraprake me Kinën në muajin nëntor për kontrollin e armëve. Ai theksoi nevojën e përfshirjes në bisedime të figurave kryesore të vendimmarrjes kineze ose zyrtarëve të lartë të politikave bërthamore.
“Ne e dimë se nuk do të kemi një hapje të menjëhershme të negociatave zyrtare për kontrollin e armëve dhe e dimë se ata ende po ndërtojnë arsenalin e tyre”, tha zoti Vaddi gjatë një simpoziumi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Për sa i përket kontrollit të armëve, në të vërtetë ne duam të shohim që Kina të përgjigjet ndaj disa prej ideve tona më thelbësore për reduktimin e rrezikut dhe ende jemi në pritje për të parë nëse do ta bëjnë këtë”.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina zhvilluan më 6 nëntor bisedimet e para mbi kontrollin e armëve bërthamore në gati pesë vjet, mes shqetësimeve amerikane në rritje për shtimin e arsenalit bërthamor nga Kina. Por takimi nuk dha rezultate specifike.
Bisedimet i paraprinë takimit në muajin dhjetor midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, nga ku u njoftua rifillimi dialogut midis ushtrive të dy vendeve.
Zoti Vaddi tha se Uashingtoni kërkonte të kishte kanale të hapura komunikimi me Kinën ndërsa theksoi rëndësinë e konsultimeve për kontrollin e armëve në nëntor, duke shtuar nevojën për përparime në këtë aspekt.
“Për sa i përket kontrollit të armëve, ne duam të shohim që të fillojë diskutimi për disa masa praktike”, tha ai, duke shtuar se diskutime të tilla mund të jenë dypalëshe, ose në kuadër të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – SHBA, Kinë, Rusi, Britani dhe Francë.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina mbajtën bisedime ushtarake dyditore në Uashington javën e kaluar, angazhimi i tyre më i fundit që kur u pajtuan për të rifilluar bisedimet mes dy ushtrive.
Në raportin vjetor të Pentagonit, të publikuar në tetor, thuhet se Kina ka më shumë se 500 mbushje bërthamore operacionale dhe ndoshta do të ketë mbi 1000 mbushje luftarake deri në vitin 2030.
Shtetet e Bashkuara kanë një arsenal prej rreth 3,700 mbushje bërthamore, prej të cilave rreth 1419 mbushje bërthamore janë të pozicionuara për situata strategjike.