Lidhje

SHBA paralajmëron për përpjekje të Rusisë për të nxitur Evropën kundër Ukrainës


Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia do të kryejë fushata dezinformimi me synim nxitjen e opinionit në Evropë, kundër Ukrainës, ndërsa në një sërë shtetesh evropiane mbahen zgjedhje këtë vit, tha kreu i zyres së Deparamentit të Shtetit për Dezinformimin, këtë të enjte.

Në dhjetra vende votuesit pritet të zgjedhin udhëheqësit e tyre të rinj në 2024, përfshirë në Britani, Austri, Gjeorgji, ndërsa në qershor do te mbahen edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Jamie Rubin, i dërguari i posaçëm dhe koordinator në Qendrën e Angazhimit Global (GEC), u tha gazetarëve se Rusia, si dhe Kina, po përpiqen që në mbarë botën të përhapin propagandën shtetërore duke e shitur të si gazetari të pavarur, duke fshehur burimin e vërtetë.

Zoti Rubin nuk përmendi shtete konkrete për të cilat ai është i shqetësuar, por tha se më të kërcënuara janë vendet në Evropë. Evropa, kundërshtoi agresionin rus ndaj Ukrainës në 2022 dhe i ka ofruar kësaj të fundit ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera.

“Rusia shpreson se proceset zgjedhore që do të zhvillohen në një sërë vendesh këtë vit do të ndryshojnë aleancën e jashtëzakonshme kundër luftës”, tha ai.

“Ne besojmë se rusët do të ndëmarrin fushata dezinformimi në gjithë Evropën me qëllim ndryshimin e opinionit ndaj Ukrainës gjatë kësaj periudhe zgjedhore”, shtoi zoti Rubin.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Qendra e Angazhimit Global, e cila synon ekspozimin e fushatave të huaja të dezinformimit, vitin e kaluar, tha se kishte zbuluar një përpjekje të financuar nga Rusia, në të gjithë Amerikën Latine, për të nxitur propagandën dhe dezinformimin në mediat lokale të lajmeve.

Rusia në atë kohë i quajti akuzat të pabaza.

Një dokument jo sekret i shërbimeve të zbulimit, që iu dërgua më shumë se 100 shteteve vitin e kaluar, vinte në dukje se Moska po përdor agjentët e fshehtë, mediat sociale dhe mediat shtetërore ruse për të gërryer besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve demokratike.

XS
SM
MD
LG