Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Tel Aviv të enjten ku pritet të takohet me udhëheqësit izraelitë për të diskutuar zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm të Izraelit me militantët e Hamasit dhe shtimin e ndihmës humanitare për Rripin e Gazës.
Kjo është vizita e tretë e zotit Blinken në rajon që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor. Kryediplomati amerikan pritet të vizitojë edhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ku ka të ngjarë të takohet udhëheqësin e autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, tha një zyrtar palestinez.
Diplomati i lartë amerikan pritet gjithashtu që të diskutojë edhe lidhur me ofensivën e afërt të Izraelit në Gazën jugore.
Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Izraelit që të tregohet shumë më i kujdesshëm për të mbrojtur civilët palestinezë dhe për të kufizuar dëmtimin e infrastrukturës në çdo ofensivë në jug, thanë zyrtarë të lartë amerikanë.
“Gjatë ditëve të ardhshme, do të përqendrohemi që të bëjmë atë që mundemi për të zgjatur pauzën në mënyrë që të vazhdojmë lirimin e më shumë pengjeve dhe dërgimin e më shumë ndihmave humanitare”, tha zoti Blinken gjatë një konference shtypi në Bruksel te mërkurën.
Armëpushimi ka sjellë pauzën e parë në Gaza në shtatë javë, gjatë së cilës Izraeli bombardoi rëndë territorin në përgjigje të një sulmi të dhunshëm nga militantët e Hamasit që vranë rreth 1200 njerëz dhe morën 240 pengje.
Izraeli është betuar se do ta asgjësojë Hamasin, i cili sundon Gazën. Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se bombardimi i Izraelit në territorin e vogël me popullsi të dendur ka vrarë deri më tani më shumë se 15,000 njerëz, rreth 40% e tyre fëmijë. Shifrat nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Që nga fillimi i luftës, zoti Blinken ka zhvilluar bisedime me udhëheqës të lartë izraelitë dhe arabë në përpjekje për të frenuar përhapjen e konfliktit, nxitur lirimin e pengjeve dhe lehtësuar ndihmat për Gazën, ku po shfaqet një fatkeqësi humanitare.
Gjatë konferencës së shtypit në Bruksel, Sekretari Blinken tha se do të vazhdojë të diskutojë me partnerët rajonalë lidhur me të ardhmen e Gazës pas konfliktit. Shtetet e Bashkuara janë shprehur se nuk duan që Gaza të pushtohet apo të mbetet në shtetrrethim dhe nuk duan që palestinezët të zhvendosen përgjithmonë apo territori i Gazës të tkurret.