Lidhje

Lirim pengjesh dhe të burgosurish pas armëpushimit Izrael-Hamas


Helikopteri sjell pengjet në Qendrën Mjekësore Spitalore të Fëmijëve në Izrael (24 nëntor 2023)
Helikopteri sjell pengjet në Qendrën Mjekësore Spitalore të Fëmijëve në Izrael (24 nëntor 2023)

Ndërsa marrëveshja e përkohshme e armëpushimit hyri në fuqi në Gazë, Presidenti amerikan Joe Biden foli të premten për të vënë dukje meritat e diplomacisë amerikane dhe falenderoi vendet që ndihmuan për këtë arritje.

Për izraelitët, ndalja e luftimeve do të thotë rikthim në shtëpi për një pjesë të 240 pengjeve që Izraeli thotë se u rrëmbyen nga Hamasi në sulmin e paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor.

24 pengje, ndër ta 13 gra dhe fëmijë izraelitë, nga mosha 2 deri në 85 vjeç, u liruan të premten në darkë. Pjesë e pengjeve të liruar ishin edhe 10 shtetas tajlandezë dhe një filipinas, u njoftua nga qeveria e Katarit.

Ndërkohë, qeveria izraelite liroi 39 palestinezë të burgosur, gra dhe adoleshentë.

Një ish e burgosur nga Izraeli përqafohet me familjarët e saj (24 nëntor 2023)
Një ish e burgosur nga Izraeli përqafohet me familjarët e saj (24 nëntor 2023)

“Ekipet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të premten filluan një operacion disaditor për të lehtësuar lirimin dhe transferimin e pengjeve të mbajtura në Gazë dhe të të burgosurve palestinezë në Bregun Perëndimor. Operacioni do të përfshijë edhe dërgimin e ndihmave shumë të nevojshme humanitare në Gazë”, thuhet në një deklaratë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për marrëveshjen katërditore të ndërmjetësuar nga Katari.

Pamjet televizive në kanalin shtetëror egjiptian Al-Qahera treguan radhën e gjatë të ambulancave që merrnin pengjet që liroheshin nga Gaza.

Pas lirimit të tyre, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se: "Sapo kemi përfunduar fazën e parë të kthimit të pengjeve. Fëmijë, nënat e tyre dhe gra të tjera. Secili prej tyre është një botë në vetvete. Jua theksoj juve familjeve dhe të gjithë ju shtetasve të Izraelit: Jemi të përkushtuar për kthimin e të gjithë pengjeve tanë".

Në Tel Aviv, turma izraelitësh festonin këto zhvillime, ndërsa në qytetin Beituna në Bregun Perëndimor, qindra palestinezë u binin borive dhe hidhnin fishekzjarre për të shënuar lirimin e të burgosurve palestinezë.

Njerëzit reagojnë në Tel Aviv për lirimin e 13 pengjeve të para (24 nëntor 2023)
Njerëzit reagojnë në Tel Aviv për lirimin e 13 pengjeve të para (24 nëntor 2023)

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli do të ndalë sulmet në Gazë për katër ditë.

Hamasi konfirmoi në rrjetin Telegram se edhe sulmet nga forcat e tij do të ndalen. Ky grup konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian.

Gjatë armëpushimit katërditor, Hamasi pritet të lirojë të paktën 50 pengje, dhe Izraeli rreth 150 të burgosur palestinezë.

Izraeli njoftoi se ndalimi katërditor i luftimeve do të zgjatet me nga një ditë më tepër për çdo 10 pengje të tjera që do të lironte Hamasi. Një zëdhënës i Katarit tha nga Doha se ka shpresa për ndërmjetësimin e një tjetër marrëveshjeje për lirim të pengjeve nga Gaza deri në ditën e katërt të armëpushimit.

Siç u shpreh Presidenti Biden në fjalimin e tij të së premtes, “shanset janë reale” për një zgjatje të ndaljes së përkohshme të luftimeve. Ai shtoi se dy gra amerikane dhe një fëmijë 4-vjeçare vazhdojnë të jenë ndër personat e marrë peng.

Kujdesi për pengjet e liruar

Zyrtari izraelit i shëndetësisë, Dr. Hagai Levine, tha se disa nga pengjet e moshuar kishin sëmundje kronike, si diabet. Ai shtoi se fëmijët nuk kanë parë dritën e diellit për gati shtatë javë.

“Për shkak se nuk dimë, duhet të jemi të përgatitur, të shpresojmë për më të mirën dhe të përgatitemi për më të keqen”, tha zoti Levin. “Prandaj ne në Izrael duhet të jemi të përgatitur për të përmbushur nevojat e tyre, me një përqasje të plotë. Disa prej pengjeve u plagosën rëndë, disave u prenë gjymtyrët, duart apo këmbët, disa u plagosën me plumba; nuk dimë si i kanë trajtuar, nëse kanë patur infeksione”, tha zoti Levine.

Një grup i dytë pengjesh izraelitë pritet të lirohen të shtunën.

Ndihmat për banorët e Gazës

Për palestinezët, armëpushim do të thotë një ndërprerje të gati shtatë javëve sulmesh ajrore izraelite, që vranë mbi 14 mijë palestinezë, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Jason Lee, drejtor në Bregun Perëndimor për organizatën “Save the Children”, tha se fëmijët në Gazë janë më të dëmtuarit.

“Kemi tashmë një situatë ku një fëmijë vritet çdo 10 minuta”, tha zoti Lee. “Po rritet edhe numri i civilëve të plagosur. Mbi 30 mijë civilë janë plagosur, dhe sërish si tregues i asimetrisë së këtij konflikti, gati 70% - pra 7 nga 10 – janë gra apo fëmijë”.

Izraeli deklaroi se do të lejojë sasi të mëdha ndihmash humanitare drejt Gazës.

“Katër kontenierë me karburant dhe katër kontenierë me vaj gatimi u transferuan nga Egjipti drejt organizatave të ndihmave humanitare të OKB-së në Rripin e Gazës, nga pika kufitare Rafah”, njoftuan Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Rreth 200 kamionë me ndihma humanitare kaluan drejt Gazës të premten në mëngjes, sipas Presidentit Biden. Përpara se të fillonte lufta mes Izraelit dhe Hamasit, rreth 500 kamionë hynin çdo ditë drejt territoreve palestineze.

Palët zotohen ta vazhdojnë luftën

Izraeli hodhi fletushka ku paralajmërohen banorët e Gazës veriore që u janë larguar luftimeve, të mos kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa luftimet pritet të rifillojnë pasi të ketë mbaruar armëpushimi.

Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit bëri thirrje të enjten për përshkallëzim të luftimeve ndaj Izraelit.

“Bëjmë thirrje për përshkallëzim të përballjes me pushtuesit në mbarë Bregun Perëndimor dhe të gjitha frontet e rezistencës”, tha Abu Ubaida, zëdhënës i Brigadave Izz ad-Din al-Qassam, në një fjalim të transmetuar nga kanali Al Jazeera TV.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të sigurohet që Hamasi të mos e ketë më aftësinë ta sulmojë Izraelin në të ardhmen.

“Dua të jem i qartë. Lufta po vazhdon. Lufta vazhdon. Do ta vazhdojmë derisa të arrijë të gjithë objektivat tanë”, tha zoti Netanyahu gjatë një konference shtypi të mërkurën.

Reagimi ndërkombëtar

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, i cili mirëpriti të premten kryeministrat e Spanjës dhe Belgjikës, tha në një fjalim të transmetuar në televizion se udhëheqësit ndërkombëtarë, ndër ta edhe Presidenti Biden, i kanë thënë se palestinezët nuk do të detyrohen ta lënë Gazën për të shkuar drejt Egjiptit. Ai tha se kushtet e jetesës në Gazë janë të pamundura, dhe se kjo do t’i shtyjë njerëzit të largohen. Udhëheqësi egjiptian tha se bisedoi me Presidentin Biden, i cili e garantoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë emigrimin e detyruar të palestinezëve nga Gaza.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u tha gazetarëve gjatë vizitës në pikën kufitare Rafah të Egjiptit të premten, se Bashkimi Evropian shpreson të sjellë ndihma të mëtejshme në Gazë, krahas nivelit të ndihmave që hyjnë aktualisht.

Pedro Sánchez dhe Alexander De Croo në pikën kufitare Rafah (24 nëntor 2023)
Pedro Sánchez dhe Alexander De Croo në pikën kufitare Rafah (24 nëntor 2023)

Zoti Sanchez i bëri thirrje Hamasit të lirojë pengjet e tjera dhe i bëri thirrje Izraelit të tregojë më shumë vetëpërmbajtje.

“Përsëris gjithashtu të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por duhet të veprojë kështu brenda parametrave dhe kufizimeve të vendosura nga ligji ndërkombëtar humanitar, dhe ky rast nuk është i tillë”, tha ai. “Vrasja pa dallim e civilëve të pafajshëm, përfshirë mijëra djem dhe vajza, është krejtësisht e papranueshme. Dhuna do të sjellë më shumë dhunë”.

Zoti Sanchez propozoi mbajtjen e një konference ndërkombëtare të paqes për të diskutuar konfliktin në vazhdim dhe për të theksuar nevojën e zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

Kryeministri belg Alexander De Croo tha se qëllimi i ndërmjetësimit nga Bashkimi Evropian mes Izraelit dhe palestinezëve ishte “një armëpushim i përhershëm” dhe lejimi i hyrjes së furnizimeve me ndihma humanitare të mbledhur në kufirin egjiptian. Ai gjithashtu kritikoi operacionin ushtarak të Izraelit në Gazë, ndërsa dënoi grupin palestinez Hamas, që drejton Gazën.

“Në anën tjetër të këtij kufiri, kanë ndodhur luftime të tmerrshme; civilë të shumtë janë vrarë, dhe si gjithnjë viktimat e para janë gratë dhe fëmijët; familjet janë shkatërruar; komunitetet janë shkatërruar”, tha zoti De Croo. “Izraeli ka të drejtën të mbrojë shtetasit e tij. I gjithë Hamasi është barbar, dhe Hamasi duhet të bëjë gjithçka për të liruar pengjet e pafajshëm”.

Udhëheqës arabë dhe islamikë bënë thirrje për armëpushim pa kushte dhe përpjekje nga komuniteti ndërkombëtar për të zbatuar një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve, gjatë një takimi arabo-islamik të nivelit të lartë më 11 nëntor, në kryeqytetin saudit Riyadh.

Presidenti Biden përsëriti të premten qëndrimin e tij në favor të një zgjidhjeje me dy shtete, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të jetonin përkrah njëri-tjetrit.

“Është tashmë më e rëndësishme se ndonjëherë më parë”, tha Presidenti Biden.

Për këtë artikull kontribuan Linda Gradstein nga Jeruzalemi dhe Steve Herman nga Uashingtoni. Edward Yeranian kontribuoi nga Kajro. Disa nga të dhënat u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, AFP dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG