Lidhje

Senatori Menendez në gjykatë, pas aktpadisë së re për konspiracion


Senatori amerikan Bob Menendez
Senatori amerikan Bob Menendez

Senatori amerikan Bob Menendez do të dalë sërish sot para gjykatës dhe pritet që me gjasë të deklarohet se është i pafajshëm ndaj akuzave për konspiracion, lidhur me dyshimet se ka ushtruar ndikimin e tij në shërbim të interesave të Egjiptit, kur ishte kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Gjashtëdhjetë e nëntë vjeçari pritet të dalë sot pasdite para gjykatëses Sidney H. Stein në gjykatën federale në Manhatan.

Demokrati nga Nju Xhersi u largua përkohësisht nga posti i fuqishëm si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë pas ngritjes së akuzave ndaj tij muajin e shkuar.

Sipas hetuesve, senatori dhe bashkëshortja e tij, Nadine Menendez ka marrë ryfshfet në para, kallëpe ari dhe një makinë luksoze nga tre sipërmarrës nga Nju Xhersi në këmbim të një sërë aktesh korruptive.

Por senatori Menendez i ka hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë besnik ndaj Shteteve të Bashkuara duke shtuar se do të arrijë të vërtetojë pafajësinë e tij.

Zoti Menendez nuk ka pranuar thirrjen e më shumë se 30 demokratëve që ai të japë dorëheqjen.

Prokurorët federalë riformuluan afro 2 javë më parë aktakuzën e tyre kundër senatorit dhe bashkëshortes së tij, duke i akuzuar për konspiracion, duke synuar ushtrimin e ndikimin e tij për interesa të Egjiptit dhe zyrtarëve egjiptianë.

XS
SM
MD
LG