Lidhje

Avokati Keneth Chesebro pranon fajësinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Xhorxhia


Keneth Chesebro
Keneth Chesebro

Avokati Keneth Chesebro pranoi të premten fajësinë nën akuzat për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias, ndërsa po bëheshin përgatitjet përfundimtare për mbledhjen e një jurie për fillimin e gjyqit ndaj tij.

Avokati Chesebro është akuzuar së bashku me ish-Presidentin republikan Trump dhe 17 persona të tjerë në shtetin e Xhorxhias, për përpjekje për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve.

Një ditë më parë, fajësinë e pranoi edhe kolegia e tij, avokatja Sidney Powell për gjashtë akuza. Ajo do të kryejë dënimin me arrest shtëpiak për rreth gjashtë vjet, me mbikqyrje nga autoritetet, do të paguajë 2700 dollarë dëmshpërblim dhe do të dëshmojë me vërtetësi ndaj të pandehurve të tjerë.

Bazuar në marrëveshjen me prokurorët, avokati Chesebro do të kryejë një dënim me pesë vjet arrest shtëpiak, 100 orë punë vullnetare në shërbim të komunitetit dhe do të paguajë pesë mijë dollarë dëmshpërblim. Ai gjithashtu do të duhet të shkruajë një letër për t’i kërkuar falje banorëve të shtetit të Xhorxhias dhe duhet të dëshmojë me vërtetësi në gjyqet e ardhshme.

Sipas padisë, Chesebro, i cili jeton në Porto Riko, ka qënë bashkëhartuesi dhe zbatuesi i një plani për të bindur 16 zyrtarë republikanë të shtetit të Xhorxhias që të çertifikonin në mënyrë të rreme rezultatin e zgjedhjeve, duke e nxjerrë zotin Trump fitues. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias i ka fituar demokrati Joe Biden.

Një i pandehur i rangut më të ulët në këtë rast, Scott Graham Hall, muajin e kaluar u deklarua fajtor për pesë akuza për kundërvajtje. Atij iu caktua masa për lirim me kusht për pesë vjet dhe ai pranoi të dëshmonte në procedura të mëtejshme.

Të pandehurit e tjerë në rastin e zgjedhjeve në Xhorxhia, përfshirë ish-Presidentin Trump dhe ish-shefin e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, janë deklaruar të pafajshëm.

Ende nuk dihet se kur do të fillojë gjyqi ndaj të akuzuarve të tjerë.

XS
SM
MD
LG