Lidhje

Shqetësim për konflikt masiv në Lindjen e Mesme, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit


Kabineti i sigurisë i Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendjen e luftës ndërsa ushtarët izraelitë vazhduan betejën me luftëtarët e Hamasit në rrugët e pjesës jugore të vendit dhe bombardimet ndaj Gazës, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të pashembullt të grupit militant palestinez brenda territorit izraelit. Zyrtarët izraelitë thonë se numri i të vrarëve në Izrael ka arritur në të paktën 600 persona. Goditjet ajrore izraelite goditën blloqe godinash banimi, tunele, një xhami dhe shtëpitë e zyrtarëve të Hamasit në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e mbi 370 vetëve.

Izraeli shpall zyrtarisht gjendje lufte
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:31 0:00


Ushtarët izraelitë vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit në rrugët e Izraelit jugor të dielën dhe ndërmorën sulme kundërpërgjigjëse që rrafshuan ndërtesa në Gaza. Në Izraelin verior një shkëmbim i shkurtër sulmesh me militantët e Hezbollahut të Libanit përshkallëzoi frikën për zgjerimin e konfliktit.

Luftimet po vazhdojnë më shumë se 24 orë pas një sulmi të pashembullt nga palestinezët, në të cilin militantët e Hamasit, të mbështetur nga mijëra raketa, depërtuan përmes barrierës së sigurisë së Izraelit. Ata morën robër të cilët i dërguan në Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët do të përpiqen t'i shkëmbejnë me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.

Numri i lartë i vdekjeve, të burgosurit e shumtë dhe një reagim i ngadaltë ndaj sulmit treguan për një dështim të madh të inteligjencës dhe lëkundën përshtypjen e mbajtur prej kohësh se Izraeli ka sy dhe veshë kudo në Gaza, territorin e vogël dhe me popullsi të dendur që e ka kontrolluar për dekada.



Pyetja kryesore tani është nëse Izraeli do të nisë një sulm tokësor në Gaza, një lëvizje që në të kaluarën ka sjellë viktima të shumta. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua se Hamasi “do të paguajë një çmim të paprecedentë”. Por ai paralajmëroi se “kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”.

Televizionet izraelite transmetuan një mori lutjesh për ndihmë nga të afërmit e izraelitëve të marrë peng ose të zhdukur. Në Gaza, banorët u larguan nga shtëpitë pranë kufirit për t'i shpëtuar sulmeve izraelite, duke ikur më thellë brenda territorit pas paralajmërimeve në arabisht nga ushtria izraelite.


Në Egjiptin fqinj, një polic qëlloi për vdekje dy turistë izraelitë dhe një egjiptian në një vend turistik në Aleksandri, tha Ministria e Brendshme. Egjipti arriti një marrëveshje paqeje me Izraelin dekada më parë, por ndjenjat anti-izraelite janë të larta në vend, veçanërisht gjatë periudhave të dhunës izraelito-palestineze.

Sulmet në kufirin verior të Izraelit me Libanin kërcënojnë gjithashtu të tërheqin në betejë Hezbollahun, një armik të ashpër të Izraelit, i cili mbështetet nga Irani dhe vlerësohet të ketë dhjetëra mijëra raketa në dispozicion. Hezbollahu lëshoi dhjetëra raketa dhe predha të dielën në tre pozicione izraelite në një zonë përgjatë kufirit dhe ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke përdorur dronë të armatosur. Dy fëmijë u plagosën lehtë nga xhami i thyer në anën libaneze, sipas një spitali të zonës.

Admirali Daniel Hagari, një zyrtar ushtarak izraelit, u tha gazetarëve se situata në kufirin verior ishte e qetë pas shkëmbimit të zjarrit me Hezbollahun. Por ai tha se luftimet po vazhdonin në jug dhe ku ka ende situata pengjesh.

Ai tha se trupat kishin shkuar tek çdo lagje pranë kufirit të Gazës, ku ata planifikonin të evakuonin të gjithë civilët dhe të pastronin zonën nga militantët.

“Ne do të shkojmë në çdo komunitet derisa të vrasim çdo terrorist që është në territorin izraelit”, tha ai. Në Gaza, “çdo terrorist që gjendet nëpër shtëpi, të gjithë komandantët, do të goditen nga zjarri izraelit. Kjo do të vazhdojë të përshkallëzohet në orët në vijim”.

Hamasi tha se gjatë natës kishte vazhduar të dërgonte forca dhe pajisje në “disa vendndodhje brenda territoreve tona të okupuara”, duke iu referuar Izraelit. Mediat e lidhura me Hamasin raportuan se djali i Nizar Awadallahut, një zyrtar i lartë politik, u vra. Grupi militant islamik nuk ka raportuar për ndonjë anëtar të lartë të kapur, vrarë apo plagosur.

Sulmi i befasishëm i së shtunës ishte më vdekjeprurësi në Izrael në dekada. Gjatë sulmit që kapi Izraelin në befasi, persona të armatosur të Hamasit përdorën eksplozivë për të thyer gardhin kufitar që rrethonte Gazën, më pas kaluan në Izrael me motoçikleta, kamionçina, parashuta dhe varka të shpejta në bregdet.

Ata u futën deri në 22 zona mëngjesin e të shtunës, në qytete dhe komunitete të ndryshme deri në 24 kilometra nga kufiri i Gazës, ndërsa Hamasi lëshoi mijëra raketa në qytetet izraelite.

Luftëtarët e Hamasit morën një numër të panjohur civilësh dhe ushtarësh robër në Gaza. Një mori izraelitësh, të afërm me të zhdukurit, shkuan nëpër rajone policie në Izraelin qendror për të furnizuar hetuesit me mostra të ADN-së dhe mjete të tjera që do mund të ndihmonin në identifikimin e anëtarëve të familjes së tyre.

Izraeli goditi 426 objektiva në Gaza, sipas ushtrisë izraelite.

UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Palestinezët, tha se më shumë se 20,000 palestinezë u larguan nga rajoni kufitar i Gazës për të shkuar më tej brenda territorit dhe për t'u strehuar në shkollat e OKB-së.

Në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria do të përdorë të gjitha forcat e saj për të shkatërruar aftësitë e Hamasit.

Në Gaza, pjesa më e madhe e popullsisë u la në errësirë të shtunën në mbrëmje pasi Izraeli ndërpreu energjinë elektrike dhe tha se nuk do të furnizonte më me energji, karburant ose mallra të tjera këtë territor.

Hamasi tha se kishte planifikuar për një luftë të gjatë. “Ne jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë luftën në të gjitha frontet”, tha zëvendëskryetari i byrosë politike të Hamasit, Saleh al-Arouri për televizionin “Al-Jazeera”.

Një zyrtar egjiptian tha se Izraeli ka kërkuar ndihmë nga Kajro për të garantuar sigurinë e pengjeve dhe se shefi i inteligjencës egjiptiane kishte kontaktuar Hamasin dhe grupin më të vogël por më radikal të Xhihadit Islamik, i cili gjithashtu mori pjesë në sulmin e të shtunës, për të kërkuar informacion. Egjipti ka ndërmjetësuar shpesh mes dy palëve në të kaluarën.

Zyrtari tha se udhëheqësit palestinezë pretenduan se nuk kanë ende një “version të plotë” sa u përket pengjeve, por tha se ata që u sollën në Gaza u dërguan në “vendndodhje të sigurta” në të gjithë territorin.

“Është e qartë se ata kanë një numër të madh – disa dhjetëra”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej sepse nuk ishte i autorizuar të informonte mediat.

Egjipti foli gjithashtu me të dyja palët për një armëpushim të mundshëm, por zyrtari tha se Izraeli nuk ishte i hapur për një armëpushim “në këtë fazë”.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden përsëriti mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Uashingtonit për Izraelin.

“Në bisedën me Kryeministrin Netanyahu, i thashë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Izraelit përballë këtyre sulmeve terroriste. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Nuk ka kurrë justifikim për sulmet terroriste”, tha Presidenti Biden.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi ashpër sulmet e Hamasit dhe tha se ishte "tmerruar" nga sulmet kundër popullsisë civile dhe rrëmbimi i tyre. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre, ndërsa bëri thirrje për përpjekje diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë.

Këshilli i Sigurimit i të Kombeve të Bashkaura do të mblidhet të dielën pasdite në një seancë urgjente me dyer të mbyllura për t'u informuar mbi situatën.

XS
SM
MD
LG