Njëri nga dëshmitarët e fundit të gjallë të vrasjes së Tupac Shakur-it, këngëtarit të muzikës rap të vrarë në vitin 1996, është arrestuar në Las Vegas.
Arrestimi i të dyshuarit shënon një përparim të shumëpritur në rastin që ka irrituar hetuesit dhe ka magjepsur publikun që kur ikona e muzikës hip-hop ishte vrarë me armë zjarri para 27 vjetësh.
I dyshuari Duane "Keffe D" Davis u arrestua të premten në mëngjes nën dyshimet për vrasje, sipas dy zyrtarëve me njohuri për rastin.
Para dy muajsh policia kishte dorëzuar një urdhër për të bastisur shtëpinë e gruas së të dyshuarit Davis, në lagjen Henderson të Las Vegasit. Sipas urdhërit, policia po kërkonte fakte “që kanë të bëjnë me vrasjen e Tupac Shakurit.” Ata morën disa kompjutera, një celular dhe një disk për ruajtjen e të dhënave, një kopje të revistës “Vibe” kushtuar këngëtarit, disa fishekë të kalibrit 40mm, fotografi të shumta, si dhe një kopje tëlibrit me kujtime të të dyshuarit Davis.
I dyshuari Davis ishte i njohur për hetuesit. Ai pranoi në intervistat dhe në librin e tij të vitit 2019 se ishte në makinën e markës “Cadillac” nga e cila është shtënë me armë më 7 shtator të vitit 1996 ndërkohë që ishte në lëvizje.
Atë natë, këngëtari Shakur gjendej në makinën “BMW”, që e ngiste Marion “Suge” Knight, themeluesi i shtëpisë muzikore “Death Row Records”, krahas 10 makinave që e shoqëronin. Ata kishin ndaluar në semafor kur një “Cadillac” i bardhë u afrua pranë tyre dhe filluan të shtënat. Shakur u godit disa herë dhe vdiq një javë më vonë, në moshën 25 vjeçare.