Një gjykatës në shtetin e Xhorxhias vendosi të enjten se ish Presidenti Donald Trump dhe 16 të tjerë, do të gjykohen veçmas nga dy të pandehurit, që do të dalin në gjyq muajin e ardhshëm lidhur me akuzat për pjesëmarrje në një skemë të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Avokatët Sidney Powell dhe Kenneth Chesebro kishin paraqitur kërkesa për një gjyq të shpejtë dhe gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Qarkut të Fultonit, Scott McAfee vendosi që gjyqi i tyre të fillonte më 23 tetor.
Ish Presidenti Trump dhe të pandehuri e tjerë kishin kërkuar që të gjykoheshin veçmas nga avokatët Powell dhe Chesebro, pasi disa prej tyre thanë se nuk mund të jenë gati për gjykim në fund të tetorit.
Prokurorja e Qarkut të Fultonit, Fani Willis, muajin e kaluar ngriti një aktpadi kundër zotit Trump dhe 18 personave të tjerë, që përfshin akuza për shantazh dhe trysni ndaj zyrtarëve shtetërorë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden.
Prokurorja Willis kishte kërkuar që 19 të pandehurit të gjykoheshin së bashku, duke argumentuar se kjo do të ishte më efikase dhe më e drejtë. Gjykatësi McAfee përmendi mes tjerash edhe orarin e ngjeshur të gjykatës si një faktor në vendimin e tij për të ndarë rastin e avokatëve Powell dhe Chesebro, nga ai ndaj ish Presidentit Trump dhe 16 të pandehurve të tjerë.
“Aftësia e Gjykatës për të mbrojtur të drejtën për një proces të rregullt ligjor të çdo të pandehuri dhe për përgatitjen e tyre të duhur për gjyqin në rrugën aktuale të përshpejtuar është faktor i rëndësishëm, ndoshta vendimtar, në favor të ndarjes së procesit gjyqësor”, theksoi gjykatësi McAfee. Ai shtoi se mund të jetë e nevojshme, që çështja të ndahet më tej në grupe më të vogla për gjykim.
Ky zhvillim ka të ngjarë të jetë një lajm i mirëpritur për të pandehurit e tjerë, që duan të distancohen nga avokatja Powell, e cila ndoshta më shumë se kushdo tjetër në kampin e zotit Trump, ishte e zëshme për nxitjen publike të teorive të pabaza të konspiracionit, që lidhnin qeveritë e huaja me ndërhyrjet në zgjedhje.
Një tjetër i pandehur në rastin e Atlantës, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, ka kërkuar të distancohet nga avokatja Powell dhe ka folur gjatë për të në një intervistë me ekipin e prokurorit të posaçëm Jack Smith në Uashington, sipas një personi me njohuri nga rrëfimin e tij, i cili foli në kushte anonimiteti.
Avokatët Chesebro dhe Powell kishin kërkuar të gjykoheshin veçmas nga njëri-tjetri, por gjykatësi e refuzoi kërkesën e tyre.
Duke shpjeguar më tej vendimin e tij për të ndarë të tjerët nga avokatët Powell dhe Chesebro, gjykatësi McAfee tha se ishte skeptik ndaj argumentit të prokurorëve se gjykimi i të 19 të pandehurve së bashku do të ishte më efikas. Ai vuri në dukje se gjykata e qarkut të Fultonit nuk ka një sallë gjyqi me vende të mjaftueshme për 19 të pandehur, avokatët e tyre dhe të tjerët, që do të duhej të ishin të pranishëm dhe se zhvendosja në një ndërtesë me sallë më të madhe, mund të ngrejë shqetësime për sigurinë.