Lidhje

Sulmi i 6 janarit, ish-udhëheqësi i "Proud Boys" dënohet me 22 vjet burg


Avokati i Henry “Enrique” Tarrios, ish-kreu i grupit të ekstremit të djathtë “Proud Boys”, tha se vendimi i gjykatësit që dënoi klientin e tij me 22 vjet burg e zuri në befasi. Zoti Torres u dënua për përfshirjen e tij në sulmin e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Ky është dënimi më i gjatë i dhënë deri më tani për trazirat vdekjeprurëse.

Ish-udhëheqësi i "Proud Boys" dënohet me 22 vjet burg
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:47 0:00


Dënimi u dha nga gjykatësi i qarkut Timothy Kelly në Uashington.

“Dhënia e këtij dënimi na zuri paksa në befasi. Por megjithatë ende kemi mundësi t’i drejtohemi apelit. Kjo është ajo që ne parashikojmë se është rruga në të cilën ky proces do të vazhdojë përpara nga ky moment”, thotë avokati Hassan.

Ish-udhëheqësi i grupit “Proud Boys”, Enrique Tarrio, u dënua të martën me 22 vjet burg për orkestrimin e një komploti të dështuar për të mbajtur ish-presidentin Donald Trump në pushtet, pasi republikani humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Dënimi i së martës mbyll një prej çështjeve penale më të rëndësishme lidhur me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Dënimi për kreun e grupit, Tarrio është më i gjati deri tani midis më shumë se 1,100 rasteve të trazirave të Kapitolit.

Themeluesi i grupit “Oath Keepers” Stewart Rhodes dhe ish-udhëheqësi i “Proud Boys” Ethan Nordean u dënuan të dy me nga 18 vjet burg lidhur me rolin e tyre në ngjarjet e 6 janarit.

Prokurorët kishin kërkuar 33 vjet burgim për Tarrion, edhe pse ai ishte arrestuar dhe urdhëruar të largohej nga Uashingtoni, në kohën kur anëtarët e grupit ‘Proud Boys’, iu bashkuan mijëra mbështetësve të zotit Trump në Kapitol. Por prokurorët thonë se Tarrio organizoi dhe udhëhoqi sulmin e grupit nga larg, duke frymëzuar ndjekësit me karizmën dhe prirjen e tij për propagandë.

Ai ishte akuzuar për konspiracion për rebelim një vepër e rrallë, e sjellë nga epoka e Luftës Civile, për të cilën Departamenti i Drejtësisë akuzoi anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë, që luajtën një rol kyç në sulmin e 6 janarit.

Duke përdorur platformën e tij të fuqishme, Tarrio ka treguar vazhdimisht dhe publikisht se nuk është penduar që ndihmoi lidhur me atë që ndodhi më 6 janar”, shkruhej në një dosje gjyqësore.

Avokatët e 39 vjeçarit nga Majami mohojnë se grupi “Proud Boys” kishte planifikuar të sulmononte Kapitolin.

Së fundmi Departamenti i Drejtësisë ka paditur edhe zotin Trump për komplot për të përmbysur sistemin demokratik amerikan, duke akuzuar ish-presidentin për komplot në ditët para sulmit, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që e shpallnin atë humbës.

Zoti Trump, i cili është kandidati kryesor i republikanëve për zgjedhjet presidenciale 2024, këmbëngul se nuk ka shkelur ligjin. Gjyqi ndaj tij mbi këtë çështje është caktuar më 4 mars.

Më shumë se 1,100 persona janë akuzuar për krime federale në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit. Më shumë se 600 prej tyre janë dënuar dhe mbi gjysma, kanë marrë masa ndëshkimore me burgim.

XS
SM
MD
LG