Lidhje

Senatori McConnell do të mbarojë mandatin pavarësisht shqetësimeve për gjendjen shëndetësore


APTOPIX Senate McConnell Health
APTOPIX Senate McConnell Health

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell ka thënë vazhdimisht se ai është "mirë" që kur ai ngriu gjatë një konference për shtyp të mërkurën. Zyra e tij po përpiqet të eliminojë spekulimet se ai mund të mos e mbarojë mandatin e tij si udhëheqës i pakicës republikane në Senat për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Në një deklaratë, zyra e tij tha se senatori McConnell vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të kolegëve të tij dhe "planifikon të shërbejë deri në fund të mandatit në postin (e udhëheqësit të republikanëve në Senat) që ata e zgjodhën me shumicë dërrmuese".

Deklarata, e raportuar fillimisht nga gazeta “Politico”, pason problemet shëndetësore të senatorit McConnell, 81 vjeç, në muajt e fundit. Në konferencën e tij javore për shtyp këtë javë, ai ngriu për rreth 20 sekonda përpara se kolegët e tij republikan që qëndronin pas tij ta ndihmonin atë të kthehej në zyrë. Ai më vonë u kthye në konferencën për shtyp dhe iu përgjigj pyetjeve sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kur u pyet për incidentin, ai tha se ishte "mirë", një deklaratë që ai përsëriti në një korridor për gazetarët më vonë atë ditë. As senatori McConnell dhe as zyra e tij nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse ai mori ndihmë mjekësore pas incidentit.

Ndonëse senatori McConnell u përpoq të largonte shqetësimet, ngjarja ngriti pyetje të reja në mesin e kolegëve të tij në lidhje me shëndetin e tij dhe gjithashtu nëse zoti McConnell, i cili u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1984 dhe ka shërbyer si udhëheqës i republikanëve që nga viti 2007, së shpejti mund të tërhiqej nga posti i udhëheqësit të pakicës republikane në Senat.

Ai u zgjodh për një mandat dy-vjeçar si udhëheqës i republikanëve në Senat në janar me shumicë dërrmuese votash, pavarësisht sfidës që i bëri senatori Rick Scott nga Florida. Ai do të rikthehet sërish si udhëheqës i republikanëve edhe pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Deri atëherë, ai do të duhet të vendosë gjithashtu nëse do të kandidojë përsëri për një mandat tjetër në Senat. Ai ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar për një mandat tjetër në vitin 2026.

Në mars, senatori McConnell pësoi një tronditje dhe thyerje të brinjëve pasi u rrëzua dhe goditi kokën pas një darke në një hotel. Pas këtij incidenti, ai nuk u kthye në Senat për gati gjashtë javë.

Por senatori McConnell, shumë i rezervuar dhe shpesh privat në lidhje me jetën e tij personale dhe shëndetin, nuk ka dhënë shumë hollësi mbi atë që po ndodh.

Udhëheqësi republikan është një nga disa senatorët që kanë munguar për shkak të problemeve shëndetësore këtë vit. Senatorja demokrate nga Kalifornia, Dianne Feinstein, 90 vjeçe, ishte jashtë Senatit për më shumë se dy muaj për shkak të sëmundjes së herpesit. Dhe senatori demokrat nga Pensilvania, John Fetterman, 53 vjeç, mori leje për disa javë për të marrë trajtim për depresionin.

XS
SM
MD
LG