Lidhje

Nju Jork, përpjekje për pakësimin e emetimit të gazit karbonik nga ndërtesat e larta 


Në bodrumin e një ndërtese banimi në Nju Jork janë instaluar pajisje komplekse të kapjes së dioksidit të karbonit, të shkaktuar nga makineri të ndryshme të ndërtesës. Pas kapjes së dioksidit të karbonit, pajisjet e kthejnë atë në lëndë të lëngshme.
Nju Jorku dhe emetimi i gazit karbonik nga ndërtesat e larta
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

“Sistemi është krijuar për reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit nga pajisjet që funksionojnë me gaz natyror, si kaldaja, sistemet e ngrohjes dhe pajisje të tjera”, shpjegon Brian Asparro, shefi operativ i kompanisë CarbonQuest që ka prodhuar këtë sistem.

Qëllimi i këtij sistemi është të frenojë çlirimin e gazit karbonik në atmosferë, një nga proceset që ndikon në ndryshimet klimatike.

Sipas ekspertëve të qytetit, në Nju Jork, ndërtesat janë burimi më i madh i emetimit të gazeve të dëmshëm. Ato emetojnë afërsisht dy të tretat e sasisë së gazeve të dëmshme në këtë qytet.

Ndërtesat e shtetit të Nju Jorkut gjithashtu shkaktojnë nivel më të lartë të ndotjes së ajrit në krahasim me ato në shtetet e tjera amerikane.

Sipas një ligji të ri të qytetit, pronarët e ndërtesave duhet të bëjnë reduktime dramatike të emetimit të gazeve të dëmshëm, duke filluar nga viti i ardhshëm për të shmangur gjobat.

Rreth 50 mijë ndërtesa, më shumë se gjysma e ndërtesave në qytet do të preken nga Ligji Lokal 97. Qytete të tjera si Bostoni dhe Denveri ndoqën shembullin e Nju Jorkut, duke miratuar ligje të ngjashme. Miratimi i këtyre ligjeve ka nxitur pronarët e ndërtesave të shqyrtojnë përdorimin e teknologjisë së kapjes së gazit karbonik.

Sipas zotit Asparro, sistemi i kapjes së karbonit magazinon rreth 60 për qind të nivelit të emetimit të shkaktuar nga kaldajave.

Por çfarë ndodh me gazin karbonik pas kapjes dhe kthimit të tij në substancë të lëngshme?

Ai u shitet kompanive si Glenwood Mason Supply, e cila merret me prodhimin e produkteve të betonit.

“Ne e injektojmë dioksidin e karbonit gjatë procesit të prodhimit së betonit dhe më pas ai ngurtësohet dhe bëhet pjesë e përhershme e tullave dhe produkteve të tjera", thotë Jeff Hansen nga kompania Glenwood Mason Supply.

Dioksidi i karbonit i lëngshëm kompresohet dhe shndërrohet në një lëndë të ngurtë duke përdorur pajisje të ofruara nga kompania CarbonCure.

Claire Nelson, një gjeokimiste e specializuar në fushën e kapjes së gazit karbonik në Universitetin e Kolumbias, thotë se ligji i Nju Jorkut kërkon ulje të emetimeve në nivelin 40 për qind deri në vitin 2030 dhe 80 për qind deri në vitin 2050.

"Këto lloj ligjesh inkurajojnë pronarët e ndërtesave të përdorin teknologji si ajo e kapjes së karbonit dhe shpresojmë se kjo nuk do të pengojë përpjekjet për shqyrtimin e opsioneve të tjera, si zëvendësimin e të gjitha pajisjeve që funksionojnë me gaz natyror me ato elektrike", thotë ajo.

Shumë organizata të mbrojtjes së mjedisit janë skeptike ndaj teknologjisë së kapjes së karbonit, duke favorizuar investimet në një tranzicion në burime të energjisë së ripërtëritshme.

Ato janë të shqetësuara nga magazinimi i gazit karbonik në ndërtesat e banimit sepse në nivele të larta ai mund të jetë i rrezikshmëm për shëndetin e njeriut. Por ekspertët si zonja Nelson thonë se tranzicioni në burime të ripërtëritshme të energjisë nuk mund të ndodhë brenda një kohe të shkurtë dhe për këtë arsye duhet të shfrytëzohen të gjitha metodat e mundshme për luftimin e ndryshimeve klimatike.

XS
SM
MD
LG