Festa e Kurban Bajramit në Kosovë këtë vit po kremtohet nën thirrjet për paqe, tolerancë dhe për rikujtim të frymës së unitetit e harmonisë ndërmjet qytetarëve.
Gjatë ceremonisë së faljes së Bajramit, ku morën pjesë qindra besimtarë, myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, vuri theksin te situata e sigurisë në veri të vendit duke bërë thirrje për angazhim më të madh të institucioneve vendëse e ndërkombëtare për uljen e tensioneve.
“Qeveria por edhe të gjitha institucionet tjera vendore e ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë, me të gjitha mundësitë e tyre, në shtensionimin e situatës, uljen e tensioneve. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, larg nga përdorimi i mundshëm i dhunës. Lutemi në këtë ditë feste që në Kosovë të mbretërojë paqja e harmonia, bashkëjetësa e toleranca, siguria, respekti dhe qetësia”, tha ai.
Udhëheqës politik e fetar uruan për festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarët duke vënë theksin në përkushtimin ndaj një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në urimin e saj se Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, si dhe për t’i çmuar siç tha lidhjet familjare e miqësore.
“Të mirat duke i ndarë nuk zvogëlohen, të mirat duke i ndarë bëhen të mira për më shumë vetë sepse bëhen të mira për shumicën, bëhen të mira për të gjithë. Andaj edhe mirëqenien duhet ta ndajmë e sakrifica ia vlen. Nuk ka ditë më të përshtatshme për ta kujtuar këtë dhe për ta kontrektizuar, sesa festa e Kurban Bajramit”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Është një festë që vërtetë simbolizon solidarizimin, sakrificën, flijimin, vlerën e jetës dhe faktin që duhet të jemi sa më pranë njëri tjetrit sidomos në këto kohë sfiduese në të cilat po kalojmë. Shpresoj dhe uroj që të marrin shembull të gjithë nga kjo festë që të jemi sa më pranë njëri tjetrit dhe të bëjmë punë të mira për vendin tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Një festë që lidhet me ne shqiptarët, ne na ka përcjellë sakrifica në vazhdimësi, pra sakrificë dhe dhimbje e vuajtje por kemi qëndruar bashkë, edhe porosia e Kurban Bajramit është sakrifica për të mirën e përgjithshme”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Të flijohemi por të frymëzuar dhe të motivuar për Zotin dashuri dhe për vëllaun apo motrën njeri. Të gjithë vëllezërve shqiptarë me përkatësi fetare muslimane nga zemra u urojmë këtë ditë me dëshirë dhe me uratë që ta mësojmë këtë urti të jashtëzakonshme që vjen prej Zotit e prej dashurisë”, tha Dom Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës.
Edhe udhëheqës të institucioneve ndërkombëtare përgëzuan besimtarët duke bërë thirrje për më shumë solidaritet ndërmjet qytetarëve.