Në Shqipëri besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre.
Mijëra besimtarë nga të gjithë moshat u mblodhën herët në mëngjes në Sheshin Skënderbej të kryeqytetit, duke uruar njëri tjetrin, si dhe dëgjuan mesazhet e udhëheqësve fetarë.
Kurban Bajrami po festohet sot në Shqipëri me të gjithë ritualet tradicionale, bashkë me përcjelljen e mesazheve të hershme të sakrificës dhe përkushtimit.
Në sheshin Skënderbej të kryeqytetit, ceremonitë e festës dhe faljes i drejtoi Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.
Ai u bëri thirrje besimtarëve për mbrojtjen e të varfërve dhe për një jetesë dinjitoze bazuar në porositë fetare.
“I lutemi Zotit të pranojë kurbanet në emër të tij çdo njeriu. I lutemi Zotit, që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri. Të bëhemi më të fortë në besimin ndaj Zotit, më të dashur, më solidarë me njëri tjetrin, t’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë”, tha zoti Spahiu.
Kurban Bajrami, theksoi Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, është dita kur besimtarët kujtojnë dhe plotësojnë detyrimet e tyre fetare në shërbim të prindërve dhe familjarëve, të shoqërisë dhe të atdheut të tyre. Ai u lut për zhvillimin e kombit shqiptar si dhe për kapërcimin e tensioneve në Kosovë.
“I lutemi Zotit, që në të mbretërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve. I lutemi Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballur situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në veri të Kosovës. I lutemi Zotit të madhërishëm që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt”, tha zoti Spahiu.
Shqipëria është e njohur për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare. Besimtarët myslimanë janë shumicë, megjithatë ata historikisht nderojnë komunitetet e tjera fetare kristiane, ortodokse, bektashi.
Besimi fetar ishte i ndaluar gjatë diktaturës komuniste; qindra klerikë dhe besimtarë u dënuan me vdekje dhe burgime për shkak të praktikimit të fesë së tyre.
Gjatë tre dekadave të demokracisë kjo vuajtje e përbashkët nën diktaturë e forcoi harmoninë ndërfetare në Shqipëri.