Dhjetëra mijëra protestues marshuan në Beograd të premten duke bllokuar një urë të rëndësishme. Kjo është protesta e dytë e madhe që nga vrasjet masive ku humbën jetën 17 njerëz në dy raste të veçanta, përfshirë disa fëmijë.
Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së Parlamentit përpara se të marshonin përballë ndërtesës së qeverisë, duke bllokuar më pas një urë mbi lumin Sava.
Protestuesit mbanin një pankartë të zezë ku shkruhej “Serbia kundër dhunës”.
Protestuesit e fajësojnë Presidentin Aleksandar Vuçiç për krijimin e një atmosfere dëshpëruese dhe përçarëse në vend, duke thënë se kjo çoi në mënyrë direkte ose indirekte tek vrasjet masive. Protestuesit kërkuan që presidenti populist të japë dorëheqjen.
“Jemi këtu për të shprehur një lloj rebelimi kundër gjithçkaje që aktualisht na rrethon, por kryesisht dhunës që ndodhi ditët e fundit, dhe që është kudo rreth nesh gjatë viteve të fundit”, tha Nevena Matic.
Mediat pro-qeveritare kritikuan bllokimin e urës, me gazetën e përditshme Novosti që shkruante se, “ngacmimet kanë filluar, huliganët kanë bllokuar urën”.
Por politikani i opozitës, Srdjan Milivojevic, i tha stacionit televiziv N1 se “kjo është një betejë për mbijetesë”. Ai tha: “Nëse presidenti nuk e kupton popullin e tij, është koha që ai të japë dorëheqjen”.
Policia nuk ndërhyri. Ndërsa ra nata dhe turma filloi të shpërndahej, organizatorët premtuan të zhvillojnë më shumë protesta nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Protestuesit kërkojnë shkarkimin e disa ministrave dhe heqjen e liçensave të dy stacioneve televizive private që janë afër qeverisë dhe nxisin dhunën. Kritikët thonë se televizionet në fjalë janë bërë platforma të të dënuarve për krime lufte dhe figurave kriminale në vend.
Partitë opozitare e akuzojnë qeverinë populiste të Presidentit Vuçiç për nxitje të intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes, ndërkohë që kontrollon të gjitha institucionet. Presidenti Vuçiç i mohon akuzat. Ai ka thirrur një protestë më 26 maj në Beograd, që sipas tij do të ishte protesta më e madhe ndonjëherë.
“Ne nuk organizojmë mitingje spontane për të luajtur me emocionet e njerëzve”, këmbënguli zoti Vuçiç. “Protesta jonë do të jetë një miting uniteti, ku do të shpallim vendime të rëndësishme politike”.
Para fillimit të protestës të premten, Presidenti Vuçiç, i cili mban pothuajse të gjitha levat e pushtetit, tha se protesta përbënte “dhunë në politikë” dhe “ngacmim” ndaj qytetarëve. Por ai tha se policia nuk do të përfshihej vetëm nëse jetët e njerëzve do të rrezikohen.
“Ata po ngacmojnë qytetarët dhe nuk i lejojnë të udhëtojnë”, këmbënguli Vuçiç. “Por ne nuk na pëlqen t’i rrahim protestuesit, siç bëjnë Franca dhe Gjermania”.