Nëntë vetë humbën jetën të mërkurën në mëngjes kur një nxënës hapi zjarr në një shkollë fillore në Beograd. Ministria e Brendshme serbe tha se tetë nxënës dhe roja i shkollës mbetën të vrarë, pasi nxënësi 13 vjeçar i identifikuar nga policia me emrin Kosta Kecmanoviç, qëlloi mbi ta. Gjashtë nxënës dhe një mësuese janë plagosur dhe po trajtohen në spital. Milan Nedeljkovic, kryetari i qarkut ku ndodhet shkolla, tha se mjekët po bënin të gjitha përpjekjet për të shpëtuar jetën e mësueses së plagosur.
Një adoleshent hapi zjarr në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë të mërkurën, duke vrarë tetë fëmijë dhe rojen e shkollës, njoftoi policia serbe. Gjashtë fëmijë të tjerë dhe një mësuese u plagosën dhe u shtruan në spital.
Policia e identifikoi autorin me emrin Kosta Kecmanoviç, i lindur në vitin 2009 dhe tha se ai kishte hapur zjarr me armën e babait të tij.
Ai u arrestua në oborrin e shkollës, tha policia.
Kryetari i qarkut të Vraçarit, zonë në qendër të Beogradit, Milan Nedeljkoviç e cilësoi rastin si një “tragjedi”.
“Ka ndodhur një tragjedi. Një djalë i klasës së 7-të mbushi armën dhe roja i shkollës nuk mundi ta ndalonte, ai vdiq duke mbrojtur fëmijët. Mësuesja jonë e historisë u qëllua, ajo është në spital. Kemi kamera të sigurisë por tani e kuptojmë se duhet edhe një detektor metali. Një tragjedi e tillë në një shkollë fillore është e padëgjuar në Beograd, dhe besoj edhe në tërë Serbinë”, tha kryetari i bashkisë lokale të Vraçarit, Milan Nedeljkoviç.
Para shkollës gjendja ishte kaotike, ndërsa policia largoi të dyshuarin, koka e të cilit ishte e mbuluar ndërsa oficerët e çuan atë në një makinë të parkuar në rrugë.
“Fëmija im i mbijetoi sulmit. Nuk mund ta imagjinoni, ajo pa një burrë duke u rrëzuar pasi u qëllua ndërsa vetë po ikte nga frika se djali që qëllonte do të vraponte pas saj. Ajo është krejtësisht e tronditur ”, tha Astrid Merlini, nëna e një të mbijetuareje.
“Unë isha në të njëjtën klasë me sulmuesin, por unë e ndërrova klasën në orën e dytë të mësimit. Ai ishte një djalë i qetë, kishte nota të mira, por ne nuk dinim shumë për të. Nuk ishte aq i hapur me të gjithë. Aboslutisht nuk e prisja të ndodhte kjo”, tha një nga nxënëset që e mbijetoi sulmin.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të shtënat masive në Serbi dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit janë jashtëzakonisht të rralla. Asnjë rast i tillë nuk është raportuar në shkolla vitet e fundit.
Sulmi i fundit me armë zjarri ka ndodhur në vitin 2013 kur një veteran i luftrave në Ballkan vrau 13 persona në një fshat në Serbinë qendrore.
Ballkani Perëndimor është i mbushur me qindra mijëra armë të paligjshme pas luftërave dhe trazirave të viteve të 90-ta.
Autoritetet serbe kanë shpallur disa herë amnisti për ata që dorëzojnë ose regjistrojnë armët e paligjshme.